Një operacion ushtarak ukrainas në portin e Bengazit ka shkaktuar përplasje diplomatike mes Romës dhe Kievit, pasi qeveria italiane pretendon se sulmi ndaj dy anijeve ruse u krye pa koordinim me partnerët evropianë dhe mund të rrezikojë sigurinë e rajonit të Mesdheut.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës shprehu shqetësimin e qeverisë së saj për operacionin në Libi.
Sipas deklaratës së qeverisë italiane, Meloni theksoi se ndërhyrja “shkel sovranitetin e Libisë dhe rrezikon të provokojë zgjerimin e konfliktit në Mesdhe”.
Kryeministrja konfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën në përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, por nënvizoi se kjo mbështetje nuk mund të nënkuptojë pranimin e nismave që rrezikojnë sigurinë italiane dhe atë të rajonit.
Nga ana e tij, Zelensky pranoi se operacioni ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët evropianë. Ai u zotua se do të garantonte komunikim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me ta, si dhe shkëmbimin e informacionit të nevojshëm.
Presidenti ukrainas e konfirmoi këtë qëndrim edhe në një postim në platformën X, pas bisedës me Melonin, duke theksuar rëndësinë e mirëkuptimit mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, mirëpriti sqarimet e Zelenskyt, duke deklaruar se ato e qartësojnë situatën dhe rrëzojnë akuzat e drejtuara ndaj qeverisë italiane për mënyrën se si kishte trajtuar çështjen.
Moska i kërkon Italisë të “hapë sytë”
Ndërkohë, Ambasada ruse në Itali reagoi pas sulmit në Bengazi, duke paralajmëruar Romën për atë që e cilësoi si rrezik nga veprimet e Ukrainës.
Në një deklaratë, ambasada pretendoi se dronët detarë ukrainas të përdorur kundër anijeve ruse në brigjet e Libisë ishin operuar nga ushtarakë ukrainas të vendosur në zonën e Misratës, ku ndodhet edhe një detashment ushtarak italian.
Diplomacia ruse pretendoi se përdorimi i territorit të vendeve pranë Italisë për operacione ushtarake kundër Rusisë duhet ta bëjë Romën të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Kievit.
“Rusia e ka paralajmëruar vazhdimisht bashkësinë ndërkombëtare për rreziqet jashtëzakonisht serioze që paraqet toleranca ndaj regjimit të Kievit”, thuhet në deklaratë.
Ambasada shtoi se mbetet e paqartë se si dronët ukrainas arritën në ujërat territoriale libiane, por e cilësoi praninë e tyre në rajon si një kërcënim për sigurinë.
