Në 114-vjetorin e Pavarësisë, Tirana do të jetë edhe në fokus të protestës kombëtare kundër qeverisë. Ndërsa tubimi është paralajmëruar më herët, organizimet e grupeve të ndryshme që do të marrin pjesë vijojnë me dy orare të ndryshme për nisjen e tij.
Autobotët e ujit të Policisë së Shtetit janë veshur me flamurin kuqezi, në kuadër të kësaj dite ku festimet kombëtare do të shoqërohen edhe me protestën në kryeqytet.
Grupimi i njohur si “Revolucioni Flamingo” ka njoftuar se protesta do të nisë në orën 10:00, në sheshin “Skënderbej”, nga ku pjesëmarrësit do të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Sipas organizatorëve, tubimi parashikohet të zgjasë dy ditë, më 28 dhe 29 nëntor, duke përfshirë edhe Ditën e Çlirimit. Ata kanë bërë të ditur se protesta mund të vijojë pa ndërprerje edhe gjatë orëve të natës.
Nga ana tjetër, grupe që deklarojnë se përfaqësojnë studentët kanë njoftuar se protesta e tyre do të nisë në orën 12:00. Ndryshe nga organizatorët e “Revolucionit Flamingo”, këto grupe parashikojnë që tubimi të zgjasë vetëm një ditë, më 28 nëntor.
Ndërkohë, në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë, ku në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit.
Partia Demokratike ka deklaruar mbështetjen e saj për protestën kombëtare. Deri më tani, opozita nuk ka njoftuar nëse do të zhvillojë aktivitete zyrtare për festimet e Pavarësisë dhe Çlirimit, pasi tradicionalisht i përkujton të dyja festat në të njëjtën ditë, më 28 nëntor.

