Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke rikonfirmuar partneritetin strategjik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Në mesazhin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Rubio thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në angazhimin e përbashkët për sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet e forta mes dy popujve.
Një vëmendje të veçantë në urimin e tij, shefi i diplomacisë amerikane i kushton bashkëpunimit në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to.
Rubio vlerëson gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e sigurisë kibernetike, ndërsa shpreh angazhimin e SHBA-së për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme dhe ekonomisë.
Mesazhi i sekretarit amerikan të Shtetit i drejtohet drejtpërdrejt popullit shqiptar, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe nuk i adresohet ndonjë prej titullarëve të institucioneve shtetërore shqiptare.a.b
DEKLARATA/ “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përcjell urimet e mia më të përzemërta popullit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të fortë, të ndërtuar mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes popujve tanë. Ne mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, përfshirë përmes përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne vlerësojmë gjithashtu përpjekjet tona të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet në hapësirën kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj për mbrojtjen kibernetike.
Në këtë ditë të veçantë, presim me kënaqësi të thellojmë më tej të gjitha fushat e marrëdhënieve tona, në dobi të të dy vendeve.” – Sekretari i Shtetit Marco Rubio
ë



