Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntorin, kujton telegramet e Pavarësisë

    NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë: Aleat i rëndësishëm në mbrojtjen kolektive

    Marco Rubio uron Shqipërinë për Pavarësinë, vlerëson partneritetin strategjik me SHBA-në

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntorin, kujton telegramet e Pavarësisë
    Kosovë

    Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntorin, kujton telegramet e Pavarësisë

    November 28, 2026

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke rikujtuar rolin e qindra telegrameve që lidhën qytetet shqiptare në ditët para shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.

    Në mesazhin e tij, Kurti sjell detaje nga komunikimet e Ismail Qemalit dhe patriotëve shqiptarë, duke theksuar se pavarësia ishte rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë brezave.

    “Sa herë që vjen kjo ditë e shënuar e 28 Nëntorit, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i asaj shtëpie në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por sot dua të flas për një tjetër pamje: për një varg telegramesh që do të mund të quheshin flamurtha të pavarësisë. Nga të dhënat historike tani e dimë se pavarësia e Shqipërisë, para se të shfaqej si flamur, ishte një vargan prej qindra telegramesh, që, duke lëvizur nga njëri qytet i Shqipërisë në tjetrin, thurën shpalljen e pavarësisë, ashtu sikurse gishtat e Marigonës që thurën Flamurin Kombëtar duke lëvizur gjilpërën nga një vrimë e pëlhurës në tjetrën.

    Vargu i këtyre telegrameve nis më 9 nëntor 1912, me tridhjetë e dy fjalë nga Vjena: «Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.» Dërgohej nga Ismail Qemal Vlora. Këtij telegrami, rastësisht apo jo, i mungon adresa, por ne sot e dimë se adresa ishin zemrat e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë dëshmorëve të rënë, e të gjithë atdhetarëve të gjallë e të vdekur, që kishin punuar pareshtur për këtë ditë të bekuar.

    Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës i përcjell një telegram të radhës me rreth shtatëdhjetë fjalë te kryetarët e bashkive të tridhjetë qyteteve, nga Janina te Shkodra, nga Kosturi te Peqini: «I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin.» Dhe këtu nisi puna e vërtetë, sepse nën atë telegram është ruajtur edhe shënimi i zyrës telegrafike të Elbasanit. E mori në orën 10:40 dhe e përcolli në orën 12:15 për Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin. Po atë ditë për Tiranën, Krujën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën. Për Peqinin të nesërmen, në 9:20 të mëngjesit. Këto janë orët, janë minutat dhe janë sekondat kur po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash.

    Ndërkohë Ismail Qemali po vazhdonte shtegtimin. Kur i lexojmë sot, shohim se telegramet e atyre ditëve nuk përmbajnë porosi me ide madhështore. Flasin, fjala vjen, për karroca e për kuaj. Bektash Cakrani i shkruan Aziz Pashës në Berat se duhen karroca për në Durrës «nga shkaku qi Viosa ka ardhë shum e nuk ka va».

    Duket gati e pabesueshme, por kështu po lindte një shtet, duke kërkuar të sigurohej një karrocë, duke paralajmëruar për lumin e fryrë, duke kërkuar kuaj. Dhe asgjë nga këto nuk ndodhte në qetësi, por brambullonte brenda një rrethi prej zjarri armatash të huaja që kishin mbërthyer kufijtë e tokave shqiptare dhe po e ngushtonin unazën dita-ditës. Ja një telegram tjetër: 25 nëntor, Qukës, ora 10:25 e mëngjesit. Dërguesi është komandanti serb Simoviqi:

    «Populli mysliman e i krishtênë i Ohrit e i Strugës u-dha. Ju do t’epeni apo jo? Tridhet mijë ushtarët tonë serb qi ndodhen n’Ohër, janë ngarkue me ndjekun ata qi nuk epen. Pres përgjegjë me doemos.»

    Kjo është atmosfera e trazuar e atyre ditëve, vetëm tri ditë para ngritjes së Flamurit. Komandanti kriminel serb kërkonte dorëzimin, nënshtrimin e një populli, derisa para shqiptarëve po shfaqeshin rrezet e para të Lirisë.

    Dikush, po ashtu, mund të mendojë se flamuri u ngrit një herë, në një vend. Por historia na dëshmon se as kjo nuk ishte kështu. Dy ditë më parë kishte lajmëruar Tirana: «sot Tirana ngriti flamurin kombëtar edhe shpalli independencën n’emën të gjithë Shqipniës». Të nesërmen e shpallën Durrësi, Kavaja, Peqini, Lushnja. Dhe pastaj vjen Njëzet e Teta: në linjën telegrafike midis Vlorës e Elbasanit, Lef Nosi shkruan katër fjalë: «Ngrini-e sa mâ shpejt.» Elbasani përgjigjet me tri: «Ndashti po e ngremë.» Atë pasdite, në orën katër, në shtëpinë e Xhemil Beut, dyzet burra që kishin ardhur me kalë, me vapor e në këmbë nga Berati, Dibra, Ohri, Gjirokastra, Peja, Gjakova dhe Durrësi, vendosën «me një zâ» që Shqipëria «me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme». Po atë ditë, Luigj Gurakuqi shkroi një telegram prej rreth shtatëdhjetë fjalësh dhe ia dërgoi pesëmbëdhjetë gazetave të Evropës — Corriere della Sera, Le Temps, The Times, Neue Freie Presse etj.: «Assemblea Kombëtare… shpalli Independencën e Shqipniës.»

    Ne jemi mësuar ta kujtojmë atë ditë si vepër grash e burrash të mëdhenj. Dhe ajo, pa dyshim, ishte e tillë. Por kur i lexon dokumentet një nga një, sheh edhe diçka tjetër: sheh një telegrafist në Fier që numëron tetëmbëdhjetë fjalë për të thënë se Ismail Qemali mbërriti shëndoshë e mirë, sheh kryeplakun e një lagjeje në Ohër që nënshkruan në emër të të gjitha lagjeve, sheh njerëz që paguanin për çdo fjalë, e që prapë i shpenzonin për t’i thënë po pavarësisë.

    Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut. Gëzuar”, shkruan Kurti.

    kosove
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntorin, kujton telegramet e Pavarësisë

    November 28, 2026

    NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë: Aleat i rëndësishëm në mbrojtjen kolektive

    November 28, 2026

    Marco Rubio uron Shqipërinë për Pavarësinë, vlerëson partneritetin strategjik me SHBA-në

    November 28, 2026

    Protesta e 28 Nëntorit, dy orare për nisjen e tubimit në Tiranë! PD deklaron mbështetjen

    November 28, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    “Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj”, Peleshi uron shqiptarët për Ditën e Pavarësisë

    Horoskopi i ditës, përgjegjësi dhe biseda që kërkojnë kujdes

    Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.