Një konvoj rus me automjete dhe pajisje ushtarake, i cili ishte nisur drejt Libisë, ka ndryshuar drejtimin në Detin Mesdhe pas sulmit ukrainas me dronë detarë që fundosën një anije luftarake ruse në portin e Bengazit më 22 nëntor.

Sipas burimeve ushtarake dhe të sigurisë, konvoji ishte përcjellë nga fregata e marinës ruse “Admiral Golovko” dhe e ndryshoi kursin pranë Ngushticës së Sicilisë, në të njëjtën ditë kur ndodhi sulmi në Bengazi.


Ndryshimin e drejtimit e konfirmuan një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase dhe një zyrtar i sigurisë në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, anijet nuk po vazhdonin më drejt Libisë dhe kishin ndalur lundrimin pranë brigjeve të Algjerisë, shkruan reuters.

Konvoji përbëhej nga tri anije me flamur rus, “Maia 1”, “Lady R” dhe “Lady D”, të cilat ishin nisur nga porti i Kaliningradit më 5 nëntor. Anijet transportonin automjete ushtarake, ndërsa destinacioni i tyre përfundimtar ende nuk dihet. Sipas burimeve, ato mund të kenë pezulluar përkohësisht udhëtimin në Mesdhe.

Sulmi ukrainas kishte në shënjestër korvetën ruse “Merkury”, e cila ndodhej në bazën detare të Bengazit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se forcat ukrainase e kishin fundosur anijen me dronë detarë. Në të njëjtin operacion u godit edhe anija transportuese “MV Angara”, e përdorur për transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Sipas burimeve evropiane dhe të Lindjes së Mesme, pajisjet që transportonte konvoji mund të ishin destinuar për Afrikën Perëndimore, ku do të përdoreshin nga Korpusi Afrikan i Rusisë, por një pjesë e tyre mund të ishte planifikuar edhe për Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila drejtohet nga Khalifa Haftar.

Ndërkohë, Rusia nuk ka komentuar raportimet për ndryshimin e itinerarit të anijeve. Incidenti vjen në një kohë kur Moska po përpiqet të ruajë praninë dhe ndikimin e saj ushtarak në Libi dhe në Afrikë, ndërsa sulmi ukrainas në Bengazi ka treguar se Kievi mund të godasë edhe objektivat ruse larg territorit të Ukrainës. /Telegrafi/