Pasqyra e thyer e besimit
Editorial / Besimi është ndoshta kapitali më i vështirë për t’u krijuar dhe më i lehtë për t’u humbur.
Në marrëdhënien ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, ai ndërtohet përmes viteve të punës, transparencës, përgjegjshmërisë dhe respektit të ndërsjellë, por mund të shkatërrohet shumë më shpejt, kur qytetarët ndihen të papërfaqësuar, të padëgjuar dhe të shpërfillur.
Një anketim i realizuar nga “Monitor” gjatë nëntorit nxori në pah përmasat kritike të kësaj krize besimi, të pahasur në rezultate të sondazheve të mëparshme të “Monitor” apo të tjera, të paktën në segmentin e shoqërisë shqiptare me nivel të lartë arsimimi, të ardhura relativisht të larta dhe aktiv në jetën ekonomike të vendit.
Pothuajse 93% e vlerësimeve për institucionet qeveritare shprehin pak ose aspak besim.
Nga Presidenca, që ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje përballë zhvillimeve të muajve të fundit, te Kuvendi, Kryeministria dhe pothuajse të gjitha ministritë, pasqyra e besimit institucional është copëtuar.
Por, edhe më shqetësues është efekti zinxhir i kësaj humbjeje besimi. Kur qytetarët humbasin besimin tek institucionet që i qeverisin, gradualisht fillojnë të vënë në dyshim edhe mekanizmat që duhet të kontrollojnë pushtetin, të mbrojnë interesat e tyre apo të shërbejnë si ura komunikimi ndërmjet shtetit dhe shoqërisë.
Mosbesimi këtë herë është shtrirë gjerë e gjatë nga organizatat e shoqërisë civile, te media, madje edhe tek institucionet fetare, që në sondazhe gjithmonë kanë qenë të vlerësuara më pozitivisht.
Një shoqëri që përballet me institucione dhe organizata që nuk përcjellin besim e nuk janë më të besueshme është një shoqëri në prag dëshpërimi dhe rrezikon aftësinë për të bashkëpunuar rreth interesave dhe objektivave të përbashkëta.
Në këtë panoramë, një fije shprese (në formën e së keqes më të vogël) mbetet ende te Reforma në Drejtësi, veçanërisht te SPAK dhe Gjykata e Posaçme. Kjo më tepër duket se i ngjan dëshirës së të anketuarve që diku të ankorojnë shpresat dhe besimin e tyre, se dikur në këtë vend do të ketë zbatim ligji dhe ndëshkim për korrupsionin.
Përballë kësaj situate, qeveria duket se e ka përqendruar pothuajse të gjithë narrativën e saj tek anëtarësimi në Bashkimin Europian. Por paradoksi qëndron pikërisht këtu.
Ndërsa synon të bëhet pjesë e një bashkimi që ka në themel transparencën, llogaridhënien, sundimin e ligjit, dialogun dhe respektimin e institucioneve demokratike, progresin shoqëror, qeveria po demonstron gjithnjë e më pak gatishmëri për të bashkëpunuar, për të dëgjuar dhe për të mbështetur shoqërinë që e qeveris.
Prej muajsh, qytetarët protestojnë, fillimisht për mbrojtjen e pasurive natyrore, më pas për kushtet e arsimit dhe, gradualisht, për një gamë shumë më të gjerë problemesh të cilat e kanë çuar në këtë situatë mosbesimi.
Në vend që protestat të shërbenin si një mekanizëm për të kuptuar pakënaqësitë dhe për të reflektuar mbi to, përgjigjja institucionale ka qenë kryesisht heshtja, shpërfillja dhe, gjatë valës së dytë, ndërhyrjet policore të shoqëruara me akuza për përdorim të tepruar të forcës.
E njëjta qasje po reflektohet edhe në marrëdhëniet me sipërmarrjen. Miratimi i paketës së fundit fiskale ishte një tjetër shembull i mungesës së dialogut dhe vullnetit për të dëgjuar e për të reflektuar.
Ndryshime të rëndësishme në sistemin tatimor, rritje taksash dhe përgjysmimi i pragut të regjistrimit në TVSH u miratuan pavarësisht kundërshtimeve të grupeve të interesit dhe pa një proces konsultimi që t’u jepte bizneseve mundësi reale për të ndikuar në vendimmarrje.
Sipërmarrjeve u lihet vetëm pak kohë për t’u përshtatur me detyrimet e reja, ndërkohë që mbeten paqartësi të shumta për zbatimin e tyre.
Madje, në rastin e uljes së pragut të TVSH-së, bizneset do të përfshihen në skemë mbi bazën e xhiros së realizuar gjatë vitit 2026, pra mbi bazën e aktivitetit ekonomik që e kanë zhvilluar nën një kuadër tjetër fiskal, duke i dhënë masës një efekt praktik prapaveprues në përcaktimin e statusit të tyre tatimor për vitin e ardhshëm.
Besimi i sipërmarrjes tek institucionet ndërtohet mbi parashikueshmërinë, qëndrueshmërinë e rregullave dhe bindjen se vendimmarrja publike merr në konsideratë edhe realitetin ekonomik.
Kur këto mungojnë, pasojat nuk kufizohen te pakënaqësia e biznesit, por reflektohen në vendimet për investime, punësim dhe zgjerim të aktivitetit.
As qytetarët që protestojnë dhe as bizneset që kundërshtojnë politikat fiskale nuk duhet të perceptohen si pengesë për qeverisjen. Përkundrazi, reagimet e tyre janë ndër instrumentet më të vlefshme për të kuptuar se ku nuk po funksionojnë politikat publike.
Por në një regjim qeverisjeje që nuk pranon ekzistencën e një problemi, nuk mund të fillosh as të mendosh për zgjidhjen e tij. Ashtu si një sëmundje që nuk diagnostikohet nuk mund të kurohet, edhe kriza e besimit nuk mund të kapërcehet duke mohuar simptomat e saj dhe me parada samitesh.
Dhe sa më gjatë të vonojë njohja e problemit, aq më e vështirë do të jetë të bashkohen copëzat e thyera të besimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








