Tragjedi në botën e wrestling-ut/ Bronson Reed ndërron jetë pas komplikacioneve mjekësore, lë pas bashkëshorten shtatzënë dhe vajzën

Një lajm i trishtë ka tronditur botën e wrestling-ut. Ylli i WWE-së, Bronson Reed, emri i vërtetë i të cilit është Jermaine Haley, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga kompania WWE përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, ku njoftohet se sportisti australian ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve mjekësore.
“Jermaine ishte një figurë madhështore në WWE, por mbi të gjitha, ishte një njeri i jashtëzakonshëm, një familjar i përkushtuar dhe një koleg i dashur”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Reed kishte pësuar lëndime të rënda gjatë eventit Crown Jewel, të zhvilluar më 7 nëntor në Arabinë Saudite. Gjatë një përballjeje me Oba Femi, ai u hodh përmes një tavoline, duke pësuar, sipas raportimeve, fraktura në brinjë dhe një dëmtim të veshkës.
Megjithatë, WWE nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi shkakun e vdekjes dhe nuk ka konfirmuar nëse komplikacionet mjekësore lidhen drejtpërdrejt me dëmtimet e pësuara gjatë ndeshjes.
Bronson Reed ishte një nga emrat e njohur të wrestling-ut profesionist, ndërsa në karrierën e tij kishte fituar edhe titullin NXT North American Champion dhe trofeun André the Giant Memorial Battle Royal në vitin 2024.
Ai lë pas bashkëshorten e tij shtatzënë, Paige, vajzën e tyre, si dhe familjarë, miq dhe kolegë të shumtë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga bota e wrestling-ut, ndërsa WWE ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën sportistin.




