Lajmi i fundit

LIVE - 114 vjet Pavarësi në Shtetrrethim

28 Nëntori, protestë kundër Ramës në kufirin me Kosovën, Bardhoci: Shqipëria nuk është e pavarur...

10:38, 28/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kufiri i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, më 28 Nëntor, ditën e shpalljes së Pavarësisë, është veshur me flamuj kuq e zi. Ndryshe nga 28 Nëntorët e vitit të kaluar, këtë herë, në të dyja anët e kufirit është shënuar një lëvizje më e pakët e qytetarëve.

Në këtë pikë kufitare, Fatmir Bardhoci, president i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, zhvilloi një protestë simbolike me sloganin “28 Nëntori, protestë deri në bashkim – Një komb pa kufi”. Bardhoci tha se protesta organizohet në simbol të ditës së 28 Nëntorit, për të përcjellë mesazhin se shqiptarët, pavarësisht shpalljes së Pavarësisë, vijojnë të jenë të ndarë në shtatë shtete.

Fatmir Bardhoci, president i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane: “Ne protestojmë për të gjithë shqiptarët, për të dhënë të kuptojmë se Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk është e pavarur, për arsye se shqiptarët janë të ndarë në shtatë shtete. Kukësi dhe Prizreni janë simbolika e dy qyteteve që jetojnë të ndara nga një kufi i jashtëzakonshëm dhe i paligjshëm.

Ne kërkojmë që për Kukësin të hiqet dogana dhe të shpallet një zonë e lirë ekonomike, ashtu siç janë disa modele europiane, në mënyrë që kuksianët të mos largohen. Ne kërkojmë urgjentisht që Kosova dhe Shqipëria të heqin doganat dhe të hapin kufirin ekonomik mes shqiptarëve. Shqipëria nuk është e pavarur dhe protesta do të jetë gjithmonë më 28 Nëntor.”

Bardhoci u ndal edhe te flamuri që shoqëron protestën, duke e cilësuar atë si flamurin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa, sipas tij, flamuri që përdoret sot nuk është flamuri i Pavarësisë, por i komunizmit.

Ai theksoi se flamuri i Pavarësisë është simboli që bashkon të gjithë shqiptarët dhe, sipas tij, me këtë flamur duhet të përfaqësohen shqiptarët nëse synojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët, tha Bardhoci.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco