Me rastin e festës së Flamurit, në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” është mbajtur mesha e veçantë e “Doksologjisë së Flamurit”. Në fjalën e tij, Kryepeshkopi Joan uroi këtë ditë me mesazhe paqeje dhe dashurie për vendin.
Gjatë shërbesës, ai u lut për bekimin e flamurit kombëtar, mbrojtjen e shtetit dhe mirëqenien e popullit shqiptar, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe historike të kësaj dite.
"Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, Kisha kryen Dhoksologjinë e Flamurit. Kjo është traditë që përsëritet vazhdimisht. Arsyeja pse përsëritet është se ajo ka shumë rëndësi. Dhe shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen dhe zemrën tonë. Kisha jonë e zhvillon Dhoksologjinë e Flamurit për disa arsye. E para, kjo Dhoksologji është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, i cili i ka të gjitha gjërat.
Ndaj, është detyra jonë që këtë vend ta lulëzojmë. Së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë klerikët dhe laikët që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpër kohë shumë të ashpra të historisë. Ne u themi atyre të gjithëve, faleminderit. Dhe e treta, më e rëndësishmja, është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta ndriçojmë. Ne nuk jemi pronarët. "Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të", thotë psalmisti. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos e duash vendin ku je lindur dhe je rritur. Një njeri që nuk e do Perëndinë, shpeshherë, ka vështirësi për të pasur dashuri edhe për njerëzit", tha kryepeshkopi Joan.
Kryepeshkopi Joan shtoi se është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara.
"E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli. Përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një mision shumë të rëndësishëm, që të kujdesej për grigjën e Tij, e pyet tri herë dhe i thotë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E pasi Pjetri i thotë: “Po, Zot, të dua”, Ai i thotë “Kullot shqerrat e mia.” Kjo do të thotë se, nëse do ta duam Perëndinë, do ta duam mësimin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht ky: Ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë dhe ta duam të afërmin si veten tonë. Nëse e kemi këtë në zemër, do t’i duam njerëzit, do ta duam vendin tonë. Edhe njerëzit që kanë dashuri do të bëjnë gjithçka për ta ndriçuar dhe lulëzuar vendin e tyre.
Le ta kemi gjithmonë ndër mend se ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët, dhe një ditë do të japim llogari. Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill. “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.” Prandaj është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin. Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet", theksoi Kryepeshkopi.
Një urim ka ardhur edhe nga Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu. Spahiu shprehet se në këto ditë nëntori, zemrat e shqiptarëve mbushen me krenari për historinë dhe flamurin kombëtar.
Lajm në përditësim…
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka ndarë një mesazh urimi për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit.
Spahiu shprehet se në këto ditë nëntori, zemrat e shqiptarëve mbushen me krenari për historinë dhe flamurin kombëtar.
Ai thekson se 28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar, por kujtesë e një sakrifice të madhe dhe ëndrre të shumë brezave.
Kreu i KMSH-së shton se dashuria për atdheun është një ndjenjë e thellë njerëzore, që gjen vend edhe në traditën islame. Spahiu thotë se flamuri kuqezi është dëshmia më e bukur e këtij bashkëpunimi.
Ai thekson se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e tij për paqen, harmoninë ndërfetare, edukimin, solidaritetin dhe zhvillimin e vendit tonë.
“Atdheu, amanet i përbashkët
28 Nëntori është më shumë se një festë kombëtare; është kujtesë e sakrificave të brezave, e dashurisë për atdheun dhe e amanetit që kemi për ta ruajtur e zhvilluar vendin tonë.
Një dashuri që, siç na mëson edhe tradita jonë islame, shprehet përmes përkushtimit, përgjegjësisë dhe kontributit për të mirën e përbashkët.
Në këtë ditë të shënuar, nderojmë të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë, duke kujtuar se uniteti, respekti dhe bashkëjetesa janë vlera që duhet t'i përcjellim brez pas brezi.
Gëzuar festën e pavarësisë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen”, thuhet në postimin e shpërndarë në Facebook.











Komente
Komento