Pep Guardiola ka përjashtuar përfundimisht mundësinë e një rikthimi në pankinën e Barcelonës, duke i dhënë fund spekulimeve për një aventurë të dytë me klubin katalanas.

Në një intervistë për revistën zyrtare të Bundesligës, tekniku 55-vjeçar u shpreh qartë se nuk e konsideron rikthimin në “Camp Nou”, aty ku gjatë periudhës 2008-2012 shkroi një nga kapitujt më të lavdishëm të karrierës së tij.

“Nuk do të kthehem te Barcelona”, deklaroi shkurt Guardiola, duke mos lënë hapësirë për interpretime.

Trajneri spanjoll aktualisht po shijon një periudhë pushimi, pas përfundimit të aventurës së tij dhjetëvjeçare në krye të Manchester Cityt në fund të sezonit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, Guardiola fitoi gjashtë tituj të Premier League dhe një trofe të Ligës së Kampioneve.

Ndonëse ende nuk dihet se kur do të rikthehet në drejtimin e një skuadre, e ardhmja e tij vazhdon të jetë objekt spekulimesh. Emri i teknikut spanjoll është lidhur me drejtimin e disa përfaqësueseve kombëtare, mes të cilave edhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.