114 vjetori i Pavarësisë, Balluku nga Fieri: Shqipëria sot ndodhet vetëm një hap larg BE, nga Brukseli kanë ardhur lajme të mira
114 vjetori i Pavarësisë është kremtuar edhe në qytetin e Fierit në një atmosferë festive kuq e zi dhe nën tingujt e bandës frymore të qytetit. Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore, deputetë pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të fesë, policisë, si dhe drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku.
Për mediat, Balluku tha se vendi sot ndodhet në një moment të rëndësishëm dhe historik, siç është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“Gëzuar ditën e Pavarësisë, është gjithmonë kënaqësi që jemi të gjithë këtu bashkë në Fier me gjithë deputetët dhe ata që deshën të na bashkoheshin sot. Shqipëria ndodhet në një moment historik, 114 vite pas shpalljes së Pavarësisë. Sot jemi vetëm një hap larg BE dhe sidomos gjatë muajit nëntor kemi pasur lajme shumë të mira që kanë ardhur nga Brukseli në Shqipëri. Uniteti është shumë i rëndësishëm, identiteti ynë i cili na ka dalluar gjithmonë dhe ndër vite. Të gjithë së bashku gëzuar këtë ditë dhe shëndet për të gjithë”, tha Balluku.
Ajo më tej iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve për protestat.
“Protesta është e drejtë dhe liri për aq kohë sa nuk cënohen liritë e të tjerëve që duan të festojnë sot”, tha Balluku.




