U pasua nga tensione të forta diplomatike mes Kievit dhe Romës sulmi ukrainas në portin libian të Bengazit, ku u fundos korveta ruse Merkury. Në fund, duket se kjo situatë e detyroi Volodymir Zelenskyn të tërhiqej nga deklaratat e tij mbi koordinimin e operacionit me aleatët. Në një intervistë për BBC-në, ai kishte pretenduar se sulme të tilla nuk ndërmerreshin pa njëfarë koordinimi me partnerët, deklarata kjo që solli reagimin e ashpër të qeverisë italiane.“Zelensky ka thënë diçka të pavërtetë. Asnjë nga aleatët nuk dinte asgjë”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto. Edhe shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani, mohoi kategorikisht të kishte pasur koordinim paraprak. Përplasja nxiti ndërhyrjen e kryeministres Giorgia Meloni, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn., ku shprehu shqetësimin për shkeljen e sovranitetit të Libisë dhe rrezikun e shtrirjes së konfliktit në Mesdhe. Sipas mediave në vendin fqinj, presidenti ukrainas i ka kërkuar ndjesë kryeministres italiane. Më pas, Zelensky korrigjoi edhe publikisht versionin e tij. President ukrainas konfirmoi se operacioni ishte zhvilluar pa koordinim paraprak me partnerët europianë. Incidenti ka ndezur debatin politik në Itali, ku opozita kërkon shpjegime nga Meloni në Parlament. Ndërkohë, lufta nuk ndalet as jashtë hapësirës ajrore të Ukrainës. Letonia ka raportuar një shkelje të hapësirës së saj ajrore nga një dron. Rajoni rus i Leningradit njoftoi se kishte zmbrapsur një sulm me dronë. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike ka regjistruar në Europë një rritje prej 16% të akteve të sabotazhit të lidhura me Rusinë, në periudhën nga tetori i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026.