Florian Haçkaj, bashkëthemelues dhe një prej figurave kryesore të lëvizjes qytetare “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ka bërë thirrje për bashkim të qytetarëve, duke theksuar se zgjidhja e situatës politike duhet të vijë përmes një reagimi të përbashkët popullor.
Në një prononcim gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, Haçkaj u shpreh se pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe efektivëve të policisë është një tregues i situatës, ndërsa theksoi se një listë e përbashkët qytetare do të ishte zgjidhja ideale, por për këtë nevojitet punë dhe lënia mënjanë e egove personale.
Ai paralajmëroi gjithashtu se protestuesit janë përgatitur për surpriza gjatë ditës së sotme, duke shprehur shpresën se do të bindin kryeministrin Edi Rama të japë dorëheqjen.
“Qytetarë, për fat të keq edhe efektivë në pjesëmarrje masive. Zgjidhja duhet të vijë nga bashkimi popullor. Një listë e përbashkët qytetare është zgjidhja ideale, por për këtë duhet shumë punë dhe duhet të lëmë egon pas. Duhet të jemi bashkë sot. Jemi të përgatitur për surpriza sot, shpresoj ta bindim që të japë dorëheqjen.”, tha ai.












