Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë urimin e tij për të gjithë shqiptarët me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë, nga Vlora, qyteti ku më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Në ceremoninë solemne, kreu i Shtetit, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe drejtuesit vendorë të Vlorës, nderuan kujtimin e Ismail Qemalit dhe të etërve të Pavarësisë.
Përmes një mesazhi në këtë ditë të shënuar, Begaj uroi shqiptarët kudo që ndodhen, duke përcjellë një mesazh uniteti, krenarie kombëtare dhe shprese për të ardhmen.
“Nga Vlora e Pavarësisë, gëzuar 114-vjetorin e Ditës së Flamurit të gjithë shqiptarëve! Me krenari për historinë tonë, me dashuri për atdheun dhe besim në forcën e unitetit, le ta bëjmë këtë moment historik një mundësi për më shumë zhvillim, përparim dhe shpresë në të ardhmen e vendit tonë. Gëzuar! Rroftë Shqipëria dhe kombi shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!” – shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e urimit me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.