Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë dhe sakrificën e brezave shqiptarë për ruajtjen e flamurit kombëtar.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se më 28 Nëntor 1912 flamuri i një kombi u bë flamuri i një shteti, ndërsa ka theksuar se në Kosovë breza të tërë e ruajtën atë edhe në kohët kur valëvitja e tij ishte e ndaluar, shkruan Telegrafi.


Ai ka rikujtuar se flamuri shqiptar u ruajt nëpër shtëpi, u mor në mërgim dhe u bë simbol i qëndresës së atyre që vuajtën burgje dhe luftuan për liri.

“Pavarësinë e shpallën në Vlorë. Festën e kemi në secilën shtëpi shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka theksuar se përgjegjësia e brezit të sotëm është që gjeneratave të ardhshme t'u lërë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri të bashkuar dhe një atdhe ku të rinjtë dëshirojnë ta ndërtojnë jetën e tyre.

Në fund të mesazhit, Abdixhiku ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e 28 Nëntorit./Telegrafi/