114 vjetori i Pavarësisë, Kryepiskopi Joan mban meshën e veçantë të “Doksologjisë së Flamurit”, ndan mesazh paqeje e dashurie për vendin
Me rastin e festës së Flamurit, në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” është mbajtur mesha e veçantë e “Doksologjisë së Flamurit”. Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan uroi këtë ditë me mesazhe paqeje dhe dashurie për vendin.
Gjatë shërbesës, ai u lut për bekimin e flamurit kombëtar, mbrojtjen e shtetit dhe mirëqenien e popullit shqiptar, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe historike të kësaj dite.
“Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, Kisha kryen Dhoksologjinë e Flamurit. Kjo është traditë që përsëritet vazhdimisht. Arsyeja pse përsëritet është se ajo ka shumë rëndësi. Dhe shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen dhe zemrën tonë. Kisha jonë e zhvillon Dhoksologjinë e Flamurit për disa arsye. E para, kjo Dhoksologji është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, i cili i ka të gjitha gjërat.
Ndaj, është detyra jonë që këtë vend ta lulëzojmë. Së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë klerikët dhe laikët që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpër kohë shumë të ashpra të historisë. Ne u themi atyre të gjithëve, faleminderit. Dhe e treta, më e rëndësishmja, është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta ndriçojmë. Ne nuk jemi pronarët. “Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të”, thotë psalmisti. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos e duash vendin ku je lindur dhe je rritur. Një njeri që nuk e do Perëndinë, shpeshherë, ka vështirësi për të pasur dashuri edhe për njerëzit”, tha kryepiskopi Joan.
Kryepeshkopi Joan shtoi se është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara.
“E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli. Përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një mision shumë të rëndësishëm, që të kujdesej për grigjën e Tij, e pyet tri herë dhe i thotë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E pasi Pjetri i thotë: “Po, Zot, të dua”, Ai i thotë “Kullot shqerrat e mia.” Kjo do të thotë se, nëse do ta duam Perëndinë, do ta duam mësimin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht ky: Ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë dhe ta duam të afërmin si veten tonë. Nëse e kemi këtë në zemër, do t’i duam njerëzit, do ta duam vendin tonë. Edhe njerëzit që kanë dashuri do të bëjnë gjithçka për ta ndriçuar dhe lulëzuar vendin e tyre.
Le ta kemi gjithmonë ndër mend se ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët, dhe një ditë do të japim llogari. Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill. “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.” Prandaj është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin. Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet”, theksoi Kryepiskopi.




