Radomir Saiçic, anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd, duket se do të jetë kandidati i Listës së Studentëve në zgjedhjet presidenciale të Serbisë. Lajmin e përcolli e përjavshmja beogradase Nedeljnik, sipas së cilës 65 vjecari ishte ndër profesorët e parë universitarë që iu bashkuan hapur protestave studentore në Serbi dhe një nga 14 themeluesit e grupit qytetar „Lista e Studentëve -Studentët fitojnë“. Gjatë protestave, e kritikoi publikisht sjelljen e policisë ndaj tubuesve, thotë se do të luftojë për një Serbi sovrane, në të cilën Kushtetuta e saj të respektohet dhe që të jetë një vend ku çdo qytetar të jetojë me dinjitet dhe ka një qëndrim pozitiv ndaj bllokut evropian dhe vlerave evropiane. Saicic i mëshon idesë se duhet të bëhet përparim real drejt anëtarësimit në BE, duke u shprehur i bindur se kjo mund të arrihet me një ritëm të përshtatshëm. Por kur vjen fjala te Kosova, qëndrimi i tij duket nuk ndryshon shumë nga linja e deritanishme e Beogradit. Që gjatë fushatës, në emisionin „Oko“ të RTS-së, ai e quajti Kosovën „territor të pushtuar përkohësisht“, duke e përshkruar : si pjesë të patjetërsueshme e territorit serbe sipas Kushtetutës, dhe kështu do të mbetet“, tha ai. Në të njëjtin emision, kufirin ndërkombëtarisht të njohur mes Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës e quajti „fiktiv dhe gjeometrik“. Më tej, ai u shpreh edhe për marrëdhënie të mira me Moskën, duke pretenduar se Rusia angazhohet më shumë për integritetin territorial të Serbisë sesa vetë pushteti në Beograd.