Për herë të parë një boksier shqiptar synon kurorën e botës në peshat super të rënda, kur Nelson Hysa ngjitet në ring në Düsseldorf për të sfiduar Agit Kabayel, kampionin e botës dhe mbajtësin e rripit WBC. Dueli zhvillohet më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit, dhe Top Channel ndjek ekskluzivisht nga afër ngjarjen, duke sjellë atmosferën, emocionet dhe përgatitjet për këtë natë historike për sportin shqiptar.
Në Düsseldorf Arena u zhvillua takimi i fundit mes dy boksierëve një ditë përpara duelit, ndërsa për Hysën kjo është sfida që ka pritur gjatë gjithë karrierës së tij 26-vjeçare. Ai shpreh emocionin dhe krenarinë që do të përfaqësojë Shqipërinë nën flamurin kuqezi në një përballje për titull bote: “E prisja një ndeshje për titull kampion bote, e dëshiroja, pas një karriere shumë të gjatë prej 26 vitesh, prej një pune shumë të madhe. Shpresoj që të na shkojë mbarë e mirë. Normalisht që është ndeshje për kampion bote dhe është hera e parë që Shqipëria shkon në titull për kampion bote me flamurin shqiptar. Jam shumë i emocionuar dhe i gëzuar që e vendosim Shqipërinë për herë të parë në hartën botërore të boksit profesionist.”
Në stafin e tij është edhe Zef Gjoni, trajner i njohur i boksit shqiptar, i cili vlerëson faktin që një sportist shqiptar fitoi të drejtën për të luftuar për kurorën botërore: “Rëndësi ka që një boksier shqiptar, Nelson Hysa, arriti të ndeshet për titull bote.” Menaxheri Ilir Bregasi përmend veçantinë e datës së duelit dhe shpreson për një festë të dyfishtë për shqiptarët: “Duke qenë se koincidonte me festën tonë kombëtare, inshallah qoftë një festë e madhe për të gjithë ne.”
Sipas raportimit të Top Channel, gjithçka është gati dhe Hysa do të kërkojë të shkruajë historinë përballë Kabayelit. Përtej objektivit sportiv, në ring do të jetë edhe krenaria për flamurin shqiptar, ndërsa mesazhi i boksierit për të gjithë shqiptarët është: “Albania, love you!” Përgjigjja përfundimtare pritet nga ringu i Düsseldorfit, në një natë kur sytë e sportdashësve shqiptarë do të jenë të drejtuar nga Gjermania.
