Tmerr në Iran, i riu rreh për vdekje gruan 14-vjeçare, ngjarja vetëm 10 ditë pasi solli në jetë fëmijën
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Iranin, ku një 20-vjeçar dyshohet se ka rrahur për vdekje bashkëshorten e tij 14-vjeçare, vetëm 10 ditë pasi ajo kishte sjellë në jetë fëmijën e tyre.
Viktima, Sogand Mostareki ishte detyruar të martohej në moshën 13-vjeçare. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, shkak për sulmin fatal dyshohet të jetë bërë kërkesa e saj për të vizituar familjen.
Sipas organizatës Iran Human Rights, e cila ka komunikuar me babanë e vajzës, 20-vjeçari vazhdimisht nuk e kishte lejuar bashkëshorten të kishte kontakt me familjen e saj dhe e mbyllte në shtëpi sa herë që kërkontë të largohej.
Burri dyshohet se e ka pranuar vrasjen, duke e justifikuar me mosmarrëveshje familjare. Ai është arrestuar.
Të paktën 24 gra të vrara brenda një muaji
Sipas një raporti të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), vetëm gjatë tetorit 2026 janë regjistruar 24 raste të vrasjeve të grave në Iran. Shumica e viktimave janë vrarë në banesat e tyre nga bashkëshortë ose persona të tjerë të afërt.
Ndërkohë, organizata Hengaw raporton se gjatë vitit 2025 janë regjistruar të paktën 207 vrasje të grave në Iran, 31 prej të cilave dyshohet se kanë pasur motive të lidhura me të ashtuquajturat krime të nderit.
Një tjetër rast që ka shkaktuar reagime është vrasja e 19-vjeçares Helia Fatahi, e cila ishte dy muajshe shtatzënë. Sipas organizatës Hengaw, prindërit e saj e detyruan të konsumonte rreth 30 tableta kundër epilepsisë dhe më pas e dhunuan fizikisht, duke i shkaktuar vdekjen përmes asfiksisë. Të dy prindërit u arrestuan.
Ndërsa më 18 nëntor, 23-vjeçarja Sadaf Haghbin u vra me armë zjarri gjatë festës së ditëlindjes në provincën Gilan. Sipas mediave lokale, autor dyshohet të jetë ish-partneri i saj, pasi e reja kishte refuzuar të martohej me të.




