114-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u përkujtua edhe në Lezhë. Ceremonia zyrtare u zhvillua pranë obeliskut të “Besëlidhjes”, në qendër të qytetit, ku u ngrit flamuri kombëtar dhe u vendosën kurora me lule në nderim të kësaj date të rëndësishme për historinë e vendit.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të qeverisë.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësuan kontributin dhe sakrificat e të gjithë atyre që punuan dhe luftuan për shpalljen e Pavarësisë. Ata e cilësuan këtë ditë si një moment të rëndësishëm historik, që përcjell mesazhin e bashkimit dhe të krenarisë kombëtare.
Aktivitetet e organizuara nga Bashkia Lezhë në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë vijuan në Pallatin e Kulturës, ku u zhvillua një veprimtari muziko-letrare kushtuar festave të nëntorit. Përmes këngëve, muzikës dhe krijimtarisë artistike, u përcoll atmosfera festive e ditëve që shënojnë dy nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Top Channel