Në reagimin e publikuar në rrjetin social X, Ivanoviq ka përmendur Bojan Dimiqin, për të cilin thotë se ishte raportuar më herët në media në kontekstin e lidhjeve me biznesmenë nga veriu i Kosovës.

Ai i është referuar edhe një artikulli të revistës serbe “NIN” të vitit 2023, në të cilin, sipas tij, ishte raportuar se Dimiqi ndodhej në krye të Drejtorisë së Parë të BIA-s.

Aleksandar Ivanoviq ka thënë se tashmë e kupton pse BIA nuk iu ishte përgjigjur për vite me radhë pyetjeve të tij lidhur me takimin që Oliver Ivanoviq kishte pasur me përfaqësues të kësaj agjencie, pasi kishte shprehur shqetësime për sigurinë e tij.

Ai ka kërkuar të dihet se kush nga BIA kishte biseduar me Oliver Ivanoviqin, ndaj kujt i kishte shprehur ai shqetësimet dhe çfarë kishte ndërmarrë agjencia për ta mbrojtur.

“Mua kjo më ishte e qartë që nga fillimi, por për vite me radhë kam insistuar vazhdimisht për përgjigje, në mënyrë që në një moment kjo të bëhej e qartë për të gjithë”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, nipi i Oliver Ivanoviqit ka kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia dhe të nisë procesi i ndjekjes penale ndaj personave përgjegjës.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.