Prokuroria Europiane ka ngritur akuza për vepra të rënda penale ndaj katër personave në Greqi, mes tyre një botues i njohur dhe tre pronarë kompanish riciklimi, për keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të Bashkimit Europian. Akuzat përfshijnë krijimin dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale, pastrimin e parave, shpërdorimin e besimit dhe mashtrimin në dëm të interesave financiare të BE-së. Të dyshuarit dolën përpara një gjyqtari hetues europian në Athinë, ku u njohën me dosjen, ndërsa një ditë më parë Prokuroria urdhëroi ngrirjen e llogarive bankare, pronave dhe pasurive të tyre për nëntë muaj, me qëllim sigurimin e fondeve për kompensimin e dëmit.