E shtunë, 28 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Spanja në zgjedhje të parakohshme, të dielën qytetarët vendosin nëse do t’i japin fund udhëheqjes së Pedro Sancez

E diela e 29 nëntorit do ti drejtojë spanjollët në qendrat e votimit për të vendosur fatin e tetë viteve qeverisje socialiste të Pedro Sancez në zgjedhjet e parakohshme.

Sondazhet e fundit nxjerrin përpara Partinë Popullore konservatore, të drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, me rreth 31.5 për qind të mbështetjes, ndërsa Partia Socialiste e Sánchez renditet me 29 për qind. Në rritje paraqitet edhe partia e djathtë Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, e cila sipas matjeve të publikuara mbështetet nga rreth 18 për qind e votuesve.

Projeksionet e disa instituteve parashikojnë që Partia Popullore dhe Vox të sigurojnë së bashku nga 194 deri në 210 mandate në parlamentin me 350 vende, duke kaluar shumicën absolute prej 176 deputetësh. Një rezultat i tillë do t’u hapte rrugën konservatorëve për të formuar qeverinë e ardhshme, me mbështetjen e së djathtës së Vox-it.

Nga ana tjetër, Sánchez synon të ruajë pushtetin përmes një marrëveshjeje me partitë e tjera të së majtës, por rezultatet e sondazheve tregojnë vështirësitë e këtij skenari. Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe përbërja përfundimtare e parlamentit do të varet nga vota e qytetarëve.

Reklamë

Kriza e strehimit dhe emigracioni janë dy prej çështjeve kryesore të fushatës. Protestat kundër dëbimeve dhe kostos së lartë të banesave kanë shtuar presionin ndaj qeverisë, ndërsa politikat e emigracionit kanë thelluar përplasjet mes socialistëve dhe Vox-it. Sánchez mbron kontributin ekonomik dhe shoqëror të emigracionit, ndërsa Abascal kërkon kontrolle shumë më të rrepta kufitare.

Zgjedhjet spanjolle kanë rëndësi edhe për ekuilibrat politikë në Evropë, ku partitë e djathta kanë fituar terren vitet e fundit. Një humbje e socialistëve do të shënonte largimin e një tjetër qeverie të majtë nga pushteti në kontinent. Gjithçka mbetet tashmë në dorën e votuesve spanjollë, në një proces zgjedhor që mund të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e qeverisë së Madridit, por edhe drejtimin politik të Spanjës në vitet e ardhshme.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.