Përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë kanë shkaktuar 11 të lënduar. Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Në pamjet nga protesta shihet një qytetar i shtrirë në tokë, ndërsa protestues të tjerë i afrohen për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta larguar nga zona e përplasjes.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 14:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tetë të lënduar: një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Të gjithë janë të vetëdijshëm, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtim në urgjencë.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje edhe tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve raportohet e mirë.
Në total, nga të dhënat e Ministrisë rezultojnë 11 persona të lënduar. Në QSUT nuk është raportuar asnjë i lënduar deri në orën 14:00. a.b




