Shkëmbim zjarri me policinë në Itali, në kërkim shqiptari që u arratis vetëm me të brendshme
Autoritetet italiane kanë intensifikuar kërkimet për 37-vjeçarin shqiptar Ervis Murra, i cili ndodhet në arrati pas një përplasjeje të armatosur me policinë në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias.
Ngjarja u regjistrua të premten, më 27 nëntor, gjatë një operacioni policor në një banesë të izoluar, ku ndodheshin tre persona. Shkëmbimi i zjarrit përfundoi me vdekjen e një shtetasi shqiptar, arrestimin e një personi tjetër dhe largimin e Murrës.
Sipas mediave italiane, përfshirë “Ottopagine”, një detaj i pazakontë i ngjarjes është se 37-vjeçari arriti të arratisej nga banesa i veshur vetëm me të brendshme, duke humbur gjurmët në zonat rurale të Venetos.
Forca të shumta policore janë angazhuar në operacionin për lokalizimin dhe kapjen e shqiptarit, ndërsa autoritetet italiane nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë i armatosur.
Kërkimet vijojnë, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes së armatosur.
