Siguria ushqimore në Shqipëri vijon të jetë një shqetësim serioz, teksa kontrollet e fundit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë evidentuar një sërë shkeljesh në subjekte që merren me prodhimin, përpunimin, magazinimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
Vetëm gjatë datave 26-27 nëntor 2026, AKU ka kryer 128 inspektime në të gjithë vendin, duke vendosur masa administrative, bllokuar ngarkesa të konsiderueshme produktesh dhe ndërprerë aktivitetin e një subjekti për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare.
Bilanci i kontrolleve përfshin katër masa administrative me paralajmërim, dy gjoba me vlerë totale 400 mijë lekë, bllokimin e dy ngarkesave me një sasi prej 88.9 tonësh dhe asgjësimin e 27.86 tonëve produkte, me kërkesë të vetë subjektit.
Por, përtej shifrave të inspektimeve dhe gjobave, shqetësues mbetet fakti se problematikat e konstatuara lidhen me elementë thelbësorë të sigurisë ushqimore, si gjurmueshmëria e produkteve, kushtet e ruajtjes dhe zbatimi i standardeve higjieno-sanitare.
Misër me aflatoksinë mbi normën e lejuar, bllokohen 25.48 tonë në Durrës
Një nga rastet më shqetësuese është evidentuar në qarkun e Durrësit, ku AKU ka bllokuar 25.48 tonë misër për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk”.
Ngarkesa, e importuar përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Hanin e Hotit, ishte mbajtur e bllokuar në ambientet e magazinimit në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.
Pas analizave, është konstatuar se treguesit e pranisë së aflatoksinës B1 rezultonin mbi normën e lejuar. Për këtë arsye, AKU i ka kërkuar subjektit që produkti të vijojë të mbahet i bllokuar deri në kthimin e tij në vendin e origjinës.
Prania e aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar përbën një problem serioz, pasi bëhet fjalë për një substancë toksike që mund të përbëjë rrezik për shëndetin e kafshëve dhe, nëpërmjet zinxhirit ushqimor, edhe për konsumatorët.
63 tonë produkte ushqimore të bllokuara në Berat, mbyllet aktiviteti i subjektit
Një tjetër rast është konstatuar në Berat, në subjektin “Sybi Ametbeja”, që ushtron aktivitet në konservimin dhe ambalazhimin e frutave.
Gjatë kontrollit, të zhvilluar në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, janë bllokuar 11 produkte ushqimore, në një sasi totale prej 63.422 tonësh, deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.
Produktet e bllokuara përfshijnë:
-13.518,6 kg trangull marinadë;
-8.624,08 kg komposto pjeshke;
-1.198,08 kg salcë domate;
-9.945,2 kg speca marinadë;
-4.467,954 kg spec djegës;
-16.503,22 kg komposto kumbulle;
-1.205,54 kg komposto qershie;
-947,652 kg fërgesë;
-6.312,4 kg sallatë e përzier;
-500 kg trahana;
-200 kg uthull.
Përveç bllokimit të produkteve dhe marrjes së mostrave për analiza, inspektorët kanë vendosur edhe ndërprerjen urgjente të aktivitetit të subjektit, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare.
Sipas AKU-së, aktiviteti do të qëndrojë i ndërprerë deri në plotësimin e kërkesave ligjore brenda afatit të përcaktuar.
400 mijë lekë gjoba edhe në kontrollet e fundit
Në kontrollet e datave 26-27 nëntor, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë ka vendosur dy gjoba të tjera.
Subjekti “Redian Dobruna” është gjobitur me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa “Pronatyra treg” është gjobitur me 300 mijë lekë për hedhjen në treg të ushqimit të pasigurt.
Ndërkohë, katër subjekte të tjera janë ndëshkuar me paralajmërim për problematika që lidhen me sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raporteve të provave.
Sa efektive janë kontrollet dhe kush garanton sigurinë e ushqimit në treg?
Rastet e fundit të produkteve të pasigurta në Fier, Durrës dhe Berat, si dhe misri me aflatoksinë, tregojnë problematika në disa hallka të zinxhirit ushqimor.
Mungesa e gjurmueshmërisë, moszbatimi i HACCP dhe kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve të AKU-së.
A janë gjobat parandaluese? Sa shpesh rikontrollohen subjektet problematike dhe sa produkte të pasigurta hyjnë në treg pa u evidentuar?












