Protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para.
Tensionet u zhvendosën para Kryeministrisë, ku protestuesit marshuan dhe u stacionuan. Në këto momente, ata kanë nisur të hedhin gurë dhe “breshëri” bombash molotov në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Një protestues nuk është ndjerë mirë, dhe është transportuar në spital me ambulancë.
Pamjet tregojnë një shesh të mbushur me tym, ujë dhe shpërthime molotovi.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të të lënduarve gjatë protestës së sotme, deri në orën 14:00.
Sipas informacioneve nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëra prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë të lënduarit janë të vetëdijshëm, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtim nga mjekët në shërbimin e urgjencës.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e mirë.
