"Miss Palestina" i bën thirrje Izraelit për kostumin e saj në "Miss Universe": Ata morën simbolet tona, dhe ku është zëri ynë?

Nadeen Ayoub, përfaqësuesja e parë e Palestinës në konkursin e bukurisë “Miss Universe”, ka reaguar pasi përfaqësuesja e Izraelit, Danielle Yablonka, u shfaq në edicionin e sivjetmë me një mantel ku ishin paraqitur Kupola e Shkëmbit dhe motive të Jerusalemit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Ayoub ka shprehur pakënaqësinë e saj për përdorimin e këtyre simboleve, duke rikujtuar se edhe ajo, në edicionin e vitit të kaluar, kishte zgjedhur t'i përfaqësonte ato përmes veshjes tradicionale palestineze.
Gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare, ajo ishte shfaqur me një mantel të pikturuar me dorë, ku përfshiheshin Kupola e Shkëmbit, Xhamia Al-Aksa dhe Kisha e Varrit të Shenjtë. Sipas saj, këto janë vende me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për palestinezët, ndërsa paraqitja e saj kishte arritur të tërhiqte vëmendjen e një audience të gjerë.
Miss Palestine explains how Miss Israel stole her costume designs https://t.co/foj8qZh8jh
— The Gulag Backup (@GulagBackup) November 26, 2026
“Këtë vit pashë se si Miss Izraeli doli në të njëjtën skenë me Kupolën e Shkëmbit dhe Jerusalemin të paraqitur në mantelin e saj. Dhe pyeta veten: ku është zëri palestinez? Këtë herë nuk kishte asnjë konkurrente palestineze”, u shpreh Ayoub.
Ajo theksoi se Xhamia Al-Aksa dhe Kupola e Shkëmbit janë vende të shenjta për myslimanët, por kanë rëndësi edhe në traditën hebraike, pasi në atë hapësirë ndodheshin Tempulli i Parë dhe i Dytë hebraik.
Ayoub përmendi gjithashtu shqetësimet lidhur me pretendimet e disa aktivistëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj për rrënimin e Xhamisë Al-Aksa dhe ndërtimin e një tempulli të tretë në atë vend. Për këtë arsye, ajo tha se nuk e kupton zgjedhjen e përfaqësueses izraelite për të përdorur pikërisht këto simbole në veshjen e saj.
Ndërkaq, lidhur me pyetjen se përse Palestina nuk kishte një përfaqësuese në edicionin e këtij viti të “Miss Universe”, Ayoub shpjegoi se organizimi i një pjesëmarrjeje të tillë kërkon kohë dhe investime të konsiderueshme.
Sipas saj, duhet të organizohet një konkurs kombëtar, të mbulohen shpenzimet dhe përgatitjet e konkurrentes, si dhe të sigurohet që ajo të jetë plotësisht e gatshme për një garë të këtij niveli, të cilën e krahasoi me “Olimpiadën e bukurisë”.
Ajo tregoi se gjatë viteve të fundit organizimin e “Miss Palestine” e kishte financuar kryesisht nga të ardhurat e saj personale, me ndihmën e disa individëve.
“Kur fillova, e shita makinën dhe mora kredi, sepse besoj në këtë. E di që Palestina ka të drejtë të jetë e pranishme në skenat ndërkombëtare dhe ta marrë vetë kontrollin mbi rrëfimin e saj. Kjo është më shumë sesa një mbretëreshë bukurie në skenë, më shumë sesa vetë bukuria. Bëhet fjalë për të pasur një zë”, deklaroi ajo.
Për këtë arsye, Ayoub u bëri thirrje qeverisë palestineze, institucioneve, kompanive, sponsorëve dhe individëve nga e gjithë bota që të mbështesin organizimin e konkursit, në mënyrë që Palestina të mund të dërgojë çdo vit një përfaqësuese në “Miss Universe” dhe në gara të tjera ndërkombëtare.
Kujtojmë se Nadeen Ayoub vitin e kaluar arriti të renditej në mesin e 30 konkurrenteve më të mira në konkursin e mbajtur në Tajlandë.
Ndërkohë, pas kritikave të shumta në rrjetet sociale, Danielle Yablonka reagoi përmes një postimi në Instagram, duke theksuar se kostumi i saj nuk kishte për qëllim të fshinte historinë e askujt, por të përcillte një mesazh paqeje. /Telegrafi/













































