Gjermanët heqin dorë nga fabrika e municioneve në Ukrainë?

Kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall po shqyrton mundësinë e anulimit të projektit për ndërtimin e një fabrike të municioneve të artilerisë në Ukrainë, më shumë se dy vjet pas prezantimit të planeve për këtë investim.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Armin Papperger, ka bërë të ditur se projekti mund të mos vazhdojë, duke përmendur mungesën e përparimit nga pala ukrainase dhe synimin e Kievit për të zhvilluar vetë kapacitetet prodhuese.
“Besoj se nuk do të vazhdojmë me këtë projekt, pasi nuk ka pasur përparim nga pala ukrainase. Ata dëshirojnë ta bëjnë këtë vetë”, deklaroi Papperger gjatë një prezantimi për investitorët në Hamburg, shkruajnë mediat.
Projekti ishte paralajmëruar në shkurt të vitit 2024 dhe parashihte ndërtimin e një fabrike për prodhimin e predhave të artilerisë të kalibrit 155 milimetra. Megjithatë, zbatimi i tij është shtyrë disa herë, ndërsa drejtuesit e Rheinmetall më herët kishin përmendur edhe pengesat burokratike në Ukrainë.
Ndërkohë, Ukraina ka zgjeruar ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes dhe kapacitetet për prodhimin e municioneve. Sipas Pappergerit, forcat ukrainase përdorin nga një deri në 1.3 milion predha artilerie në vit, ndërsa më shumë se gjysma e tyre prodhohen tashmë në vend.
Fabrika parashihej të prodhonte deri në 150 mijë predha në vit

Sipas planit fillestar, fabrika e Rheinmetallit në Ukrainë ishte paraparë të prodhonte rreth 150 mijë predha artilerie në vit, me synimin që prodhimi të niste gjatë vitit 2026.
Megjithatë, mundësia e anulimit të projektit nuk nënkupton ndërprerjen e bashkëpunimit mes kompanisë gjermane dhe Ukrainës.
Rheinmetall do të vazhdojë furnizimin me municione për ushtrinë ukrainase në kuadër të programeve të ndihmës ushtarake nga Gjermania, Danimarka dhe Holanda.
Papperger ka përmendur gjithashtu mundësinë e furnizimit të Ukrainës me pajisje industriale, përfshirë presa të posaçme, që do t'i ndihmonin vendit të zhvillonte më tej prodhimin e vet.
Një tjetër fushë e mundshme bashkëpunimi mbetet furnizimi me municione artilerie me rreze shumë të gjatë veprimi, për prodhimin e të cilave Ukraina ende nuk i posedon të gjitha teknologjitë e nevojshme. /Telegrafi/



































