Bashkimi Europian prej kohësh përpëlitet mes nevojës për zgjerim, pikëpyetjeve mbi sfidat që ky proces mund të sjellë për vetë unionin dhe problemeve të brendshme që prej vitesh vënë në provë kohezionin e tij. Kërkesa për reforma përbën boshtin e kushteve që Brukseli u imponon vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes europiane. Por gjatë kësaj rruge, vetë Bashkimi Europian është përballur me një domosdoshmëri tashmë të padiskutueshme: atë të një katarsisi të brendshëm. Përpara se të transformojë vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e tij, unioni duhet të gjejë forcën për të transformuar vetveten. Dhe një nga sfidat më të mëdha të këtij transformimi mbetet rishikimi i së drejtës së vetos, një mekanizëm i konceptuar për të mbrojtur interesat e shteteve anëtare, por që në praktikë, jo rrallëherë, është shndërruar në instrument presioni politik dhe pengesë për vetë zgjerimin.