Çfarë historie mbart xhubleta dhe si shndërrohet ajo në simbol të identitetit kombëtar? Çfarë na tregojnë objektet historike për të kaluarën e Shqipërisë dhe çfarë mund të mësojmë sot nga figura e Ismail Qemalit? Në këtë episod të Artkand, në prag të 28 Nëntorit, arti dhe historia ndërthuren në një udhëtim mes kujtesës, trashëgimisë dhe identitetit kombëtar. Artistja pamore Albana Osmani rrëfen historinë personale dhe familjare që qëndron pas veprës së saj kushtuar xhubletës, ndërsa përmes një tjetër krijimi sjell në vëmendje protestën e flamingove në Shqipëri dhe raportin mes artit dhe realitetit shoqëror. Aktori dhe regjisori Fjodor Xhydollari sjell një interpretim poetik kushtuar Pavarësisë, ndërsa studiuesi Evarsit Beqiri ndalet te Ismail Qemali, lidershipi dhe trashëgimia e themeluesit të shtetit shqiptar. Përmes komentimeve të Ardian Isufit, eksplorojmë gjithashtu vlerat artistike të pikturës “Siluetë” dhe historinë që mbart monedha mbretërore shqiptare “100 Franga Ari – Zog I”. Një episod kushtuar artit, kujtesës dhe simboleve që ndërtojnë identitetin tonë kombëtar.