Në ditën e Pavarësisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka sjellë në vëmendje një tjetër datë të rëndësishme të historisë institucionale të vendit: 28 nëntorin 1998, kur hyri në fuqi Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë, dokumenti themelor i rendit kushtetues demokratik.
Akademia e Shkencave thekson se hyrja në fuqi e Kushtetutës më 28 nëntor 1998 shënoi një moment të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të pluralizmit politik në Shqipëri.
Kushtetuta u miratua nga Kuvendi më 21 tetor 1998 dhe më pas iu nënshtrua referendumit popullor më 22 nëntor të po atij viti. Pas miratimit nga qytetarët dhe shpalljes me dekret nga Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, ajo hyri në fuqi më 28 nëntor 1998, duke i dhënë vendit një kuadër të plotë dhe afatgjatë kushtetues.
Hartimi i saj erdhi pas një periudhe tranzitore, gjatë së cilës Shqipëria funksionoi mbi bazën e dispozitave kryesore kushtetuese të miratuara në prill 1991, pas rrëzimit të regjimit komunist. Nevoja për një Kushtetutë të re lidhej me konsolidimin e shtetit të së drejtës, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin me standardet europiane.
Dokumenti i vitit 1998 përcaktoi Shqipërinë si republikë parlamentare, të mbështetur në pluralizmin politik dhe parimin se sovraniteti i përket popullit. Ai riorganizoi marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, duke ia besuar pushtetin ekzekutiv Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit, ndërsa Presidentit të Republikës i dha një rol kryesisht përfaqësues dhe garantues të unitetit kombëtar.
Një vend të rëndësishëm në Kushtetutën e re zuri edhe garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të individit, në përputhje me parimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.Gjatë viteve, Kushtetuta i është nënshtruar disa ndryshimeve të rëndësishme, përfshirë ndërhyrjet e viteve 2008, 2016, 2020 dhe 2022. Veçanërisht, ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 i hapën rrugë Reformës në Drejtësi, krijimit të institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Duke e rikthyer këtë ngjarje në vëmendje në Ditën e Pavarësisë, Akademia e Shkencave nënvizon rëndësinë historike të 28 Nëntorit 1998, kur krahas përkujtimit të Pavarësisë, Shqipëria shënoi edhe hyrjen në fuqi të dokumentit themelor të organizimit të shtetit demokratik.
