Aktualitet

Policia merr kontrollin e sheshit “Skënderbej”, FNSH dhe autobotët zmbrapsin protestuesit!

Policia ka marrë kontrollin e sheshit “Skënderbej”, duke zmbrapsur pjesën më të madhe të protestuesve pas ndërhyrjes me autobotët e ujit dhe dislokimit të trupave të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).

Autobotët kanë hyrë në shesh duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa efektivët e FNSH-së kanë avancuar në zonë për të marrë nën kontroll situatën.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së policisë, disa protestues vijojnë të qëndrojnë të shpërndarë në sheshin “Skënderbej”.

Një efektiv policie ka mbetur i lënduar në sheshin ‘Skënderbej‘.

Ai është transportuar me ambulancë për të ndihmën e nevojshme mjekësore.

Protesta në 114-vjetorin e Pavarësisë, një ditë e shënuar për popullin shqiptar, u përshkallëzua në akte dhune. Me flamuj nëpër duar, por nga ana tjetër me maska e shkopinj druri, një grup protestuesish të dhunshëm nisën sulmet me gurë ndaj efektivëve e godinës qeveritare sapo mbërritën në bulevard.

Protestuesit sulmuan edhe disa institucione të tjera, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Mjedisit, si edhe godinën e Teatrit të Kukullave. Policia është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Pas gati 3 orësh qëndrim në Bulevard, tashmë protestuesit janë zhvendosur sërish në sheshin “Skëndërbej”. Deri më tani raportohet për 19 të lënduar, 6 policë, 4 përfaqësues mediash (1 e huaj) dhe 8 protestues.

Tubimi nisi në 10:00 sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me flamuj kuqezi në duar. Pas dy orësh qëndrim në shesh, protestuesit u zhvendosën te Kryeministria, ku nisën edhe aktet e dhunës, ndonëse policia u përcolli mesazhe feste, me makina e skafandra të veshura me motive kuqezi.

 

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.