Kombëtarja shqiptare e vajzave është mposhtur me rezultatin 4-3 nga Malawi, në ndeshjen e parë të saj në turneun ndërkombëtar miqësor “China International Women’s Football Tournament Yongchuan 2026”, që po zhvillohet në Kinë.

Vajzat kuqezi zhvilluan një pjesë të parë pozitive, duke përmbysur golin e hershëm të Malawit. Fortesa Berisha ishte protagonistja e Shqipërisë, duke realizuar dy herë në minutat 6 dhe 21, pas golit të shënuar nga kundërshtaret në minutën e 3-të. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-1 për Shqipërinë.

Në fraksionin e dytë, Malawi barazoi shifrat në minutën e 55-të dhe kaloi në avantazh në minutën e 71-të.

Megi Doçi realizoi golin e barazimit 3-3 në minutën e 80-të, por Malawi shënoi sërish në minutën e 90-të, duke marrë fitoren me rezultatin 4-3.

Kjo ishte sfida e parë e Kombëtares shqiptare në turneun që zhvillohet në Yongchuan, ku marrin pjesë edhe Kina dhe Tajlanda.

Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e radhës ndaj Kinës, më 1 dhjetor, dhe Tajlandës, më 4 dhjetor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb