Francisco Conceicao ka rrëfyer këshillën që mori nga Cristiano Ronaldo pasi veshi fanellën me numrin 7, të cilën ylli portugez e kishte mbajtur më herët te Juventusi.
Gjatë një interviste ekskluzive për Cronache di Spogliatoio, anësori foli për përgjegjësinë që sjell ky numër dhe për përvojën e fituar nga bashkëpunimi me pesë herë fituesin e Topit të Artë në Përfaqësuesen e Portugalisë.
Të lidhura
None found
“Mora numrin 7 të Ronaldos te Juventusi dhe ai më tha: ‘Kjo është një fanellë me peshë, pasi kam shënuar shumë gola me të’”, tregoi Conceicao.
Futbollisti i Juventusit e cilësoi Ronaldon, i cili aktualisht luan për Al-Nassr, si një njeri të afërt dhe të gatshëm për të ndihmuar lojtarët e rinj me këshillat e tij.
“Kam qenë me Ronaldon për një apo dy vite në kombëtare. Ai është gjithmonë i gatshëm të flasë, është shumë i hapur dhe këshillon të gjithë”, u shpreh portugezi.
Conceicao solli në kujtesë edhe bisedat për periudhën e parë të karrierës së Ronaldos, kur ai luante si anësor. Sipas tij, shpejtësia, aftësia për të dribluar kundërshtarët dhe goditjet me të dyja këmbët ishin ndër elementët që e ndihmuan portugezin të zhvillohej, përpara se të zhvendosej në qendër të sulmit.
Ai theksoi se Ronaldo i ka dhënë mësime të rëndësishme edhe përmes mënyrës se si kujdeset për formën fizike dhe e ushtron profesionin në moshën 41-vjeçare.
“Më ka folur shumë për fillimet e tij si anësor, për shpejtësinë, mënyrën se si kalonte kundërshtarët dhe faktin që mund të godiste me të dyja këmbët. Më pas u bë sulmues dhe u shndërrua në një makinë golash.
Duke parë edhe rutinën e tij të rikuperimit në moshën 41-vjeçare, ndërsa vazhdon të luajë në një nivel kaq të lartë, kupton se sa i përkushtuar është në çdo detaj. Mund vetëm ta falënderoj, sepse kam mësuar shumë prej tij. Ishte nder të punoja përkrah tij”, përfundoi Conceicao.




