Katër përfaqësues të medias, mes tyre një shtetase e huaj, mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Pamjet nga bulevardi tregojnë se si uji me presion i hedhur nga policia goditi gazetarin Elkier Bushkolaj, dhe operatorin Ardian Muka, duke i rrëzuar të dy në tokë teksa raportonin nga protesta.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi incidentin dhe kërkoi hetim të menjëhershëm, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave ndaj tyre.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë goditjen me ujë me presion nga Policia e Shtetit të gazetarit të SYRI TV, Elkier Bushkolaj, dhe operatorit Ardian Muka, gjatë raportimit të protestës së sotme në Tiranë. Ky incident përbën një tjetër rast shqetësues të cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
AGSH rikujton se gazetarët dhe operatorët që mbulojnë protestat nuk janë palë në to, por ushtrojnë një funksion thelbësor në interes të publikut. Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e tyre dhe jo të rrezikojë integritetin e tyre fizik përmes përdorimit të forcës.
AGSH i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë menjëherë incidentin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masat përkatëse. Përsëritja e incidenteve ndaj punonjësve të medias gjatë protestave është e papranueshme dhe kërkon llogaridhënie institucionale. AGSH shpreh solidaritetin e plotë me gazetarin Elkier Bushkolaj dhe operatorin Ardian Muka, si dhe me të gjithë punonjësit e medias që raportojnë nga terreni në kushte të vështira”, shkroi AGSH.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi publikoi pamjet dhe e cilësoi ngjarjen si “sulm kriminal”.
“Terrorizëm shtetëror! Dënoj me forcë sulmin kriminal ndaj gazetarit të Syri TV, Elkier Bushkolaj, dhe operatorit Ardian Muka. Ky sulm i paprecedent ndaj medias, teksa ishte në krye të detyrës, duhet të marrë menjëherë ndëshkimin e merituar. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Bardhi.
Gazetarja e medias “Shteg”, Lindita Çela, u godit me plumb gome teksa filmonte me telefon, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. AGSH raportoi se edhe operatori i Top News, Elion Deliu dhe fotoreporteri, Felix Bilani mbetën po ashtu të lënduar me plumb gome.
"Lindita Çela, e cila është goditur me plumb gome ndërsa po filmonte me telefonin e saj celular gjatë protestës së sotme në Tiranë. Ajo ka qenë qartësisht e identifikuar si gazetare. Goditja e një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një incident të rëndë ndaj lirisë së medias dhe sigurisë fizike të gazetarëve. AGSH kërkon hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të pavarur të këtij incidenti, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Gazetarët nuk janë objektiva të forcave të rendit. Dokumentimi i protestave dhe i veprimeve të policisë është ushtrim i një të drejte themelore dhe i shërben interesit publik", shkroi AGSH.
Në një reagim të radhës, AGSH u kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit të marrin masa për sigurinë e ekipeve mediatike në terren.








