Do të jetë një kompani shtetërore ajo që do të garantojë blerjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për të gjitha institucionet shëndetësore publike. Një projektligj i posaçëm, i hedhur për konsultim publik, parashikon krijimin e shoqërisë aksionere me kapital 100 për qind shtetëror, “Medal”, e cila do të mund të hyj në marrëdhenie tregtare me shoqëri private, në forma nga më të ndryshmet. Një model që duket i ngjashëm me atë të kompanisë KAYO, në fushën e mbrojtjes.
Sipas projektligjit, “Medal” “ushtron funksionin e organit qendror blerës dhe të ofruesit të shërbimeve të përbashkëta për institucionet shëndetësore publike, për planifikimin, prokurimin, importin, magazinimin, transportin, shpërndarjen, gjurmueshmërinë dhe monitorimin e produkteve mjekësore për përdorim njerëzor, pajisjeve mjekësore, produkteve të tjera shëndetësore, mallrave dhe shërbimeve mbështetëse”.
Relacioni që shoqëron dokumentin shpjegon se objektivat kryesorë për këtë nismë, lidhen me “garantimi i furnizimit të vazhdueshëm, të sigurt dhe cilësor të institucioneve shëndetësore publike; rritja e efiçencës në përdorimin e fondeve publike, rritjes së fuqisë negociuese të shtetit dhe uljes së kostove për njësi; si dhe krijimin e bazës ligjore për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese vendase dhe për bashkëpunimin e strukturuar me sektorin publik e privat, vendas e të huaj, në fushën e produkteve shëndetësore”.
Eshte një nen i posaçëm që parashikon format e ndryshme të bashkëpunimit. “Shoqëria, me nismën e saj ose me kërkesë të palëve të treta, bashkëpunon me subjekte private, nëpërmjet pjesëmarrjes në një bashkim operatorësh ekonomikë, në partneritet publik-privat dhe/ose nëpërmjet formave të ndryshme kontraktuale të lejuara nga legjislacioni civil dhe tregtar”, shkruhet në nenin 6 të projektligjit.
Po në të njejtin nen, parashikohet se shoqëria krijon kompani të tjera ose merr pjesë në kapitalin e shoqërive të tjera publike, private, vendase ose të huaja që veprojnë në fushën e prodhimit, import-eksportit, magazinimit e transportit të produkteve e pajisjeve mjekësore.
Projekligji parashikon se “kushtet e negocimit me subjektet private miratohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave”, ndërsa përcakton dhe dhe mënyrën se si duhet të veprojë shoqëria për secilin rast apo formë bashkëpunimi.
“Kur Shoqëria synon të bashkëpunojë me subjekte private, procedurat përzgjedhëse janë procedura konkurruese”, parashikon projektligji. Ndërsa “kur Shoqërisë i paraqiten kërkesa për bashkëpunim nga palë të treta shtetërore ose private, Këshilli Mbikëqyrës autorizon Administratorin të ngrejë një grup negocimi të ofertës. Raporti i grupit të negocimit i paraqitet Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë, i cili miraton ose refuzon bashkëpunimin e propozuar në rastin konkret”.
Pavarësisht kuotës së pjesmarrjes në shoqëri të ndryshme, “Medal” do të duhet të garantojë që ajo të ketë të drejtën e vetos për çështje që lidhën me ndryshimin e statusit, kapitalin, shpërndarjen e fitimit, riorganizmit të shoqërisë apo dhe pranimit të aksionerëve të tjerë.
Relacioni shpjegon se zgjedhja e kësaj forme për të zgjidhur problematikën e furnizimit të spitaleve publike, bazohet në nevojën për “fleksibilitet operacional dhe financiar për mbajtjen e stoqeve, lidhjen e marrëveshjeve kuadër shumëvjeçare, administrimin e magazinave dhe të flotës së transportit”, apo dhe mundësinë për të krijuar të ardhura e për të investuar.
Që kur në gusht të këtij viti, qeveria propozoi krijimin e kësaj qeverie, nisma hasi në kritika të shumta, kryesisht nga opozita. Por gati dy javë më parë, për Report Tv, ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu e shihte këtë nismë si e “vetmen zgjidhje” për problematikën e mungesave kronike të barnave apo pajisjeve mjeksore në spitalet publike: “E vetmja zgjidhje do të jetë vetëm atëherë kur garancinë për ta furnizuar sektorin publik, jo sektorin privat, sektorin publik, e merr shteti. Nëpërmjet kësaj shoqërie, do të jetë shteti garant i lidhjes dhe i blerjes së këtij medikamenti direkt te kompania mëmë dhe nuk do të ketë më mungesa në tregun e shëndetësisë shqiptare në lidhje me furnizimin me medikamente dhe me produkte mjekësore”, theksoi Spahiu.









Komente
Komento