Mbi 1100 emigrantë të paligjshëm mbërrijnë në Kretë brenda një dite, humbi jetën dy prej tyre, katër të lënduar

28/11/2026 19:13

Një valë e madhe mbërritjesh emigrantësh është regjistruar gjatë së shtunës në ishullin e Kretës dhe në Gavdos të Greqisë, ku mbi 1,100 persona kanë mbërritur me dhjetëra mjete lundruese, duke vënë në vështirësi autoritetet greke.

Bilanci i ngjarjes është tragjik. Dy persona janë nxjerrë nga deti pa ndjenja në zonën e Gavdos dhe kanë humbur jetën në spital, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi ekziston dyshimi se në det mund të ketë ende persona të tjerë.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë orëve të para të së shtunës janë regjistruar të paktën 25 varka me emigrantë. Prej tyre, 18 kanë mbërritur në brigjet e Iraklios, tre pranë Ierapetrës dhe katër në jug të Haniasë.

Në tetë operacione shpëtimi, përfshirë dy të zhvilluara gjatë mëngjesit, janë shpëtuar 320 persona. Në zonën e Kaloi Limenes numri i emigrantëve të identifikuar ka arritur në rreth 940, ndërsa të paktën 150 persona kanë arritur vetë në bregdet.

Mes të mbërriturve ka gra, fëmijë, foshnja dhe dy gra shtatzëna. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu informacionet për dy varka të tjera në jug të Ierapetrës, me një numër ende të panjohur personash në bord.

Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar Roja Bregdetare greke dhe agjencia europiane Frontex.

Ndërkohë, situata në portin e Iraklios po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Në ambientet e një ish-magazine frigoriferike, ku më parë janë strehuar 500 deri në 700 emigrantë, pritet të grumbullohen mbi 1,000 persona. Autoritetet nuk përjashtojnë që numri të arrijë deri në 1,500.

Punonjësit e Rojës Bregdetare paralajmërojnë se ambientet nuk janë të përshtatshme për strehimin e një numri kaq të madh njerëzish dhe se mungojnë kushtet minimale.

Shqetësimet shtohen edhe për shkak të përkeqësimit të motit. Nga mbrëmja e së dielës parashikohen reshje të dendura shiu dhe ulje temperaturash, me intensifikim të fenomeneve gjatë së hënës.

Mungesa e hapësirave të mbuluara rrezikon t’i lërë qindra emigrantë të ekspozuar ndaj shiut dhe të ftohtit, duke e rënduar më tej situatën humanitare në ishullin grek.

Top Channel