Viti ka ditë plot për këdo me motive dhe arsye legjitime të organizojë protesta e të shpalosë kërkesa, përfshirë ato politike.

Zgjedhja e kësaj date të shenjtë për politikë pushtetpërmbysëse apo pushtetkërkuese është poshtërsi, së cilës nuk mund t’i gjesh dot asnjë lloj alibie apo justifikimi që ka lidhje me normalitetin.

Ky akt i shëmtuar e komprometon rëndë lëvizjen kundër establishmentit politik apo atë kundër vetë qeverisë.

Nuk mund të shpëtojë Shqipëria nga korrupsioni apo padrejtësia me lëvizje që edhe Ditën e Flamurit e veshin me maska dhe sulmojnë me molotovë.

Shqiptarët nuk do ta votonin kurrë një lëvizje maskash dhe një politikë zjarrvënësish.

Maskat e 14 shtatorit nuk sjellin ndryshimin. Ato përfaqësojnë grusht shteti.

Habitem me ca "intelektualë" që mundohen ta justifikojnë përzgjedhjen e datës 28 me arsyetime kombëtare dhe justifikojnë dhunën si mjet për të ndërruar pushtetin.

Presioni për më shumë rezultate në luftën ndaj korrupsionit, për më shumë demokraci dhe mirëqenie për të gjithë nuk bëhet me maska.

28 Nëntori nuk është dita e qeverisë. Është dita e popullit. 28 Nëntori nuk është dita e epshit për pushtet. Është dita e shenjtë e mundit për shtet.