Për 27 vjet jetuan veç me veprat e kujtimet që ua la pas.

Pas gati tre dekadash që s’u ditë gjë për doktorin Adem Ademi, nga sot eshtrat do t’i pushojnë në vendlindje, Mitrovicë.

Në mbledhjen komemorative në nderim të veprës së tij, pjesëmarrës qenë edhe deputetë e ministra.

Fjalën e pari e mori kryetari i komunës, Faton Peci.

“Ai u vë në shërbim dhe në shërim të nxënëve të helmuar për çka pam edhe pamjet në fillim ishte në strafellën e Stantërgut tek minatorët që përmes grevës kishin arritur një solidaritet mbarëkombëtarë si asnjëherë më parë deri në atë kohë”, ka thënë Faton Peci, Kryetar i Mitrovicës.

Kryetari Peci bëri të ditur se çka tjetër u gjet në rrobat e Ademit.

“një armë shumë të fuqishme që tashmë është gjetë në trupin e tij, arma që është gjetë në trupin e Adem Ademit, është gjetë në xhepin e tij është stilolapsi i tij” , ka thënë Faton Peci, Kryetar i Mitrovicës.

Për 27 vjet, shpresa e mbajti të fortë familjen Ademi, ndonëse sot e kujtuan me mall të atin.

“Ky është një moment i rëndë të cilin e kemi pritur gjatë e i jemi druajtur po aq, gjetja e tij na e lehtëson një pjesë të barrës e të pasigurisë por nuk i mbyll dot plagët që kullojnë dhimbje për ne ky proces nuk përfundon vetem me gjetjen dhe varrimin të babait dhe vëllait tonë do të vazhdojm të kërkojmë me ngulm zbardhjen e plotë të rrethanave”, ka thënë Erblin Ademi, Djali i Adem Ademit.

Ministri Andin Hoti tha se do të mbesin të përkushtuar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës.

“Si biri i një personi të zhdukur, si një familjar i një personi të zhdukur e njoh shumë mirë këtë pyetje dhe pritjen për përgjigje e njoh edhe ankthin edhe nuk shuhet pavarësisht viteve, ka thënë Andin Hoti, Ministër për Familje.

E, shoku i të ndjerit ndau disa momente që i kishin kaluar bashkë.

“Në atë takim kemi vendos se kush shpëton nga lufta do ta bejm drejtor të spitalit kush nuk shpeton do ta shpallim hero, do të ja ngjesim emrin e tij spitalit, një shkollë, një rruge, një xhamie apo tehqje’’, ka thënë Musa Miftari, doktor.

Nga Qendra e Kulturës, u nisën drejt varrezave të qytetit, aty ku u zhvillua procesi i rivarrimit të eshtrave të Ademit më 28 nëntor, në ditën historike të popullit shqiptar.

Garda e FSK-së ia dorëzoi flamurin kuq e zi djalit të tij, Erblinit.

Eshtrat e Adem Ademit u gjetën pas 27 vitesh në njërën prej varrezave masive në Kalludër të Zubin Potokut, pas gërmimeve disa javore gjatë verës së këtij viti.

Ai i përkiste “Grupi të Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, të cilit ishin zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.

Mbetjet tjera mortore të gjetura dyshohet se u takojnë pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, dhe akoma janë në proces të identifikimit.