LIVE- 28 Nëntori protestë! Përplasje mes protestuesve dhe policisë! Molotov, gurë dhe gaz lotsjellës!

28 Nëntor 2026 | 12:43

Tensionet po vijonë prej disa orësh në protestën kombëtare të 28 Nëntorit, ndërsa disa qytetarë kanë vendosur të rikthehen në drejtim të sheshit “Skëndërbej.

Tensionet u rritën pasi protestuesit hodhën sende të forta si shkopinj, gurë por edhe molotov në drejtim të policisë. Gjatë lëvizjes në bulevard, disa protestues kanë goditur me sende dhe mjete të ndryshme edhe godinat e institucioneve përgjatë itinerarit të marshimit.

Më pas policia është përgjigjur për t’i shpërndarë ata. Dhjetëra protestues pavarësisht tensioneve kanë vendos të mos largohen por qëndrojnë dhe vijojnë e hedhin sende në drejtim të policisë.

Tensionet vijojnë herë pas herë pasi protestuesit riaktivizohen duke hedhur sende ndaj policisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale gjithashtu ka publikuar një bilanc paraprak të personave të lënduar gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri në orën 18:00, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur gjithsej 35 persona të lënduar.

Lajm në përditësim…

27 Updates
18:32

Policët ndjekin protestuesit deri në librari, gruaja u del përpara dhe nuk i lejon të hyjnë brenda

Gjatë zhvillimeve të protestës së 28 Nëntorit në qendër të Tiranës, efektivë të policisë kanë tentuar të hyjnë edhe në një librari pranë Pallatit të Kulturës.

Sipas pamjeve nga vendngjarja, punonjësit e policisë kanë tentuar të nxjerrin nga ambientet e librarisë disa persona, të cilët dyshoheshin se ishin protestues. Megjithatë, në hyrje u ka dalë një grua, e cila nuk i ka lejuar efektivët të futen brenda ambienteve të librarisë.

🔗 Shpërndaje
18:27

Bilanci i protestës: 35 të lënduar në spitale, mes tyre 12 protestues dhe 12 efektivë policie

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë përditësimin e bilancit të personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake të strukturave spitalore, deri në orën 18:00, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur gjithsej 35 persona të lënduar.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona, konkretisht 9 efektivë policie, 12 protestues, 6 përfaqësues të medias, mes tyre edhe një shtetase e huaj, si dhe 3 kalimtarë. Dy prej efektivëve të policisë janë transferuar në QSUT.

Sipas njoftimit, një protestues dhe një përfaqësues i medias kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut. Aktualisht, në Spitalin e Traumës po marrin trajtim 26 pacientë, të cilët paraqiten në gjendje shëndetësore stabël.

Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur 5 persona të tjerë: 3 efektivë policie, një protestues dhe një punonjës sigurie.

Ministria bën me dije gjithashtu se deri në momentin e përditësimit, 4 të lënduar kanë lënë spitalin.

🔗 Shpërndaje
17:22

Policia ndërhyn në sheshin “Skënderbej”, shpërndan me autobotë protestuesit në rrugica

Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, në vijim të protestës kombëtare të 28 Nëntorit.

Në terren janë angazhuar gjithashtu autobotët me ujë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat po ndërhyjnë për shpërndarjen e turmës.

Ndërhyrja duket se synon largimin e protestuesve nga sheshi, ndërsa një pjesë e tyre po zhvendosen në drejtim të Rrugës së Stacionit të Trenit.

Situata në zonë vijon të jetë e tensionuar.

🔗 Shpërndaje
17:13

Tymi mbulon sheshin “Skënderbej”, policia hedh gaz lotsjellës nga dronët në drejtim të protestuesve

Situata në qendër të Tiranës vijon të jetë e tensionuar gjatë protestës së 28 Nëntorit. Kur ora shënon 17:00, protestuesit mbetën të pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, pranë Xhamisë së Et’hem Beut dhe godinës së Bashkisë së Tiranës, duke shfaqur vendosmërinë për të vijuar qëndrimin e tyre.

Ndërkohë, forcat e policisë kanë vendosur një autobot ujëhedhës pranë xhamisë, i cili herë pas here ka hedhur ujë në drejtim të protestuesve. Paralelisht, në zonë është përdorur edhe gaz lotsjellës, i hedhur nga ajri përmes dronëve.

Sipas raportimit të gazetarit Eni Ferhati, dronët, pasi hedhin gjashtë bombola me gaz lotsjellës, rikthehen në tarracat e ministrive, ku furnizohen me gjashtë bombola të tjera për t’i hedhur sërish në drejtim të protestuesve.

Si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës, qendra e Tiranës është mbuluar nga tymi, ndërsa autobotët vijojnë të hedhin ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën.

🔗 Shpërndaje
17:03

10 persona të shoqëruar nga policia pas përplasjeve në protestën e 28 Nëntorit

Të paktën 10 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit në vijim të protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë.

Sipas policisë, disa prej protestuesve, të cilët mbanin fytyrën të mbuluar, janë përfshirë në akte vandalizmi dhe në sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve.

Pas tensioneve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lëvizja e protestuesve është zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej”. Një pjesë e tyre ndodhet gjithashtu në zonën pranë Parlamentit.

Shoqërimet janë kryer ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar në disa pika të kryeqytetit.

🔗 Shpërndaje
16:15

Vijojnë përplasjet në sheshin “Skënderbej”, protestuesit hedhin molotovë drejt autobotëve, raportohet për plumba gome

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar edhe në sheshin “Skënderbej”, pas ndërhyrjes së forcave të rendit për shpërndarjen e tyre.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, një grup protestuesish nuk janë tërhequr nga sheshi, duke hedhur molotovë në drejtim të autobotëve të ujit me presion.

Ndërkohë, sipas raportimit të gazetarit Eni Ferhati për Euronews Albania, gjatë përplasjeve janë përdorur edhe plumbat e gomës nga policia.

Situata në sheshin “Skënderbej” vijon të jetë e tensionuar, ndërsa përplasjet shënojnë një tjetër episod të përshkallëzimit të protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

🔗 Shpërndaje
16:04

Një person rrëzohet në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës, qytetarët i japin ndihmën e parë

Një person është rrëzuar në tokë në sheshin “Skënderbej”, gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

Pamjet tregojnë personin të shtrirë në shesh, ndërsa disa qytetarë dhe protestues i afrohen menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë.

Ende nuk dihen rrethanat se si është lënduar personi, ndërsa protesta vijon mes tensioneve në kryeqytet.

🔗 Shpërndaje
15:56

Tensione pranë selisë së PD-së dhe Xhamisë së Namazgjasë, protestuesit hedhin fishekzjarrë drejt policisë

Tensione të tjera janë regjistruar pranë Xhamisë së Namazgjasë, në zonën pranë selisë së Partisë Demokratike, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.

Nga grupet e protestuesve janë hedhur fishekzjarrë në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar momente tensioni në këtë pjesë të kryeqytetit.

Policia vijon të jetë e pozicionuar në zonë, ndërsa situata mbetet e tensionuar edhe pas incidenteve të regjistruara më herët gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit.

🔗 Shpërndaje
15:44

Përshkallëzohen tensionet te Ministria e Bujqësisë, protestuesit i vënë flakën derës hyrëse

Situata është përshkallëzuar pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku grupe protestuesish i kanë vënë flakën derës hyrëse të godinës.

Pas përpjekjeve për të shembur derën dhe për të hyrë në ambientet e institucionit, protestuesit kanë përdorur mjete ndezëse, duke shkaktuar flakë në hyrje të ministrisë.

Ky është një tjetër episod i tensioneve gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë, e cila është shoqëruar me përplasje në disa zona të kryeqytetit.

🔗 Shpërndaje
15:39

Protesta e 28 Nëntorit, 19 të lënduar në spitale, mes tyre 6 efektivë policie dhe 4 gazetarë

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar bilancin e personave të lënduar gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga strukturat spitalore, deri në orën 15:15 janë paraqitur për ndihmë mjekësore 19 persona.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar. Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, njëra prej të cilave shtetase e huaj, si dhe tetë protestues.

Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në këtë spital ndodhen në gjendje shëndetësore stabël.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur edhe dy persona të tjerë, një efektiv policie dhe një protestues.

Bilanci mbetet paraprak, ndërsa protestat dhe përplasjet mes qytetarëve dhe forcave të policisë vijojnë në Tiranë.

🔗 Shpërndaje
15:30

Protestuesit mbledhin gurë dhe hunj në shesh, përgatiten për përballjen me policinë

Pamje nga protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë tregojnë momentin kur disa protestues mbledhin gurë dhe hunj në shesh, në një kohë kur tensionet me policinë vijojnë të jenë të larta.

Të rinjtë shihen duke marrë sende të forta në rrugë, ndërsa përplasjet me forcat e rendit vijojnë pranë zonave ku po zhvillohet tubimi.

Protesta vijon mes hedhjes së molotovëve, gurëve dhe përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

🔗 Shpërndaje
15:07

Protestuesit nuk tërhiqen nga selia e PS-së, vijojnë hedhjet e molotovëve, të rinjtë krijojnë formacione në rrugë

Situata pranë selisë së Partisë Socialiste vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit nuk janë tërhequr nga zona edhe pas ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës.

Në drejtim të forcave të rendit janë hedhur sasi të tjera molotovësh, ndërsa përplasjet kanë vijuar përpara selisë rozë.

Ndërkohë, një grup të rinjsh është parë duke krijuar formacione grumbullimi në rrugë, ndërsa turma vijon të qëndrojë përballë policisë.

Forcat e rendit mbeten të pozicionuara përballë protestuesve, ndërsa situata pranë selisë së PS-së vijon të jetë e tensionuar.

🔗 Shpërndaje
14:58

Policia hedh gaz lotsjellës me dron, gazetari: Lëshon bombulat deri në brendësi të turmës së protestuesve

Një tjetër mënyrë për përdorimin e gazit lotsjellës është vërejtur gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

Policia po përdor një dron për të hedhur bombula gazi lotsjellës në drejtim të protestuesve. Sipas raportimit të gazetarit Eni Ferhati në terren, droni lëshon bombulat deri në brendësi të turmës, duke bërë që gazi të përhapet mes protestuesve.

Pamjet tregojnë përdorimin e dronit gjatë përplasjeve, ndërsa protesta vijon në një situatë të tensionuar.

🔗 Shpërndaje
14:50

Tensionet në protestë, polici gjuan drejt protestuesve me plumba gome

Protesta kombëtare në kryeqytet po vijon që prej orë 10:00 teksa tensionet nisën rreth mesditës. Tensionet janë përshkallëzuar herë pas here teksa protestuesit kanë hedhur sene të forta, gurë, fishekzjarrë e molotovë në drejtim të policisë.

Forcat e policisë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës. Mësohet se policia ka përdorur edhe plumba gome në drejtim të protestuesve. Siç shihet edhe nga pamje, polici ka një armë e cila përdoret për plumbat e gomës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale më parë ka publikuar një bilanc paraprak të personave të lënduar gjatë protestës.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri në orën 13:45, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur persona të lënduar, mes tyre një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe protestues.

🔗 Shpërndaje
14:31

Hedhja e molotovëve nga protestuesit, efektivi i policisë përfshihet nga flakët! Ndërhyjnë kolegët e tij

Situata në protestën kombëtare vijon të jetë përshkallëzuar, teksa raportohet edhe për shoqërime të personave nga policia. Gjatë tensioneve dhe përplasjeve, një efektiv është përfshirë nga flakët pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe koktejve molotov.

Kolegët e tij kanë ndërhyrë menjëherë për t’i shuar flakët në kohë. Ndërkohë, strukturat e rendit po kryejnë shoqërime të personave të përfshirë në akte të dhunshme dhe përplasje, teksa situata në kryeqytet mbetet e tensionuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm.

🔗 Shpërndaje
14:25

Pamje të reja nga protesta, shoqërohet një person i gjakosur! Tubimi vijon

Pamje të tjera nga protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë tregojnë shoqërimin e një personi nga forcat e policisë, i cili duket i gjakosur.

Ende nuk ka informacion zyrtar mbi identitetin e personit dhe rrethanat në të cilat është lënduar.

Ndërkohë, protesta vijon, ndërsa situata është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë në disa pika të kryeqytetit.

🔗 Shpërndaje
14:20

Pas përplasjeve në bulevard, protestuesit zhvendosen drejt selisë së PS-së! Molotovë në drejtim të policisë

Pas përshkallëzimit të situatës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit janë zhvendosur drejt selisë së Partisë Socialiste, ku kanë vijuar përplasjet me forcat e policisë.

Nga turma janë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Situata është tensionuar sërish, duke shënuar një tjetër episod përplasjesh gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

🔗 Shpërndaje
14:06

Protesta e 28 Nëntorit, Ministria e Shëndetësisë: Të lënduar policë, protestues dhe gazetarë, mes tyre edhe një e huaj

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar një bilanc paraprak të personave të lënduar gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri në orën 13:45, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur persona të lënduar, mes tyre një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe protestues.

Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në spital janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, janë të vetëdijshëm dhe po marrin trajtim në urgjencë.

Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje edhe tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve raportohet e mirë.

Sipas të njëjtit njoftim, deri në këtë orë nuk është raportuar asnjë person i lënduar në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).

Bilanci vjen në një kohë kur protesta e thirrur në Tiranë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, me hedhje gurësh, fishekzjarrësh dhe molotovësh, si dhe përdorimin e autobotëve me ujë nga policia.

🔗 Shpërndaje
14:00

Lëndohen dy persona në protestë, mbërrijnë ambulancat

Dy persona raportohet se kanë mbetur të lënduar gjatë zhvillimit të protestës kombëtare që po mbahet këtë të shtunë në kryeqytet.

Sipas informacioneve nga terreni, menjëherë pas konstatimit të rasteve, në vendngjarje kanë mbërritur ambulancat dhe ekipet e urgjencës mjekësore për t’u ofruar të lënduarve ndihmën e parë dhe transportin drejt spitalit.

Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e dy personave të lënduar apo rrethanat e sakta në të cilat kanë pësuar dëmtime, ndërsa situata në terren vijon të mbetet e tensionuar.

🔗 Shpërndaje
13:48

Protestuesit rrethojnë makinën ujëhedhëse, gjuajnë me gurë

Situata në protestën kombëtare që po zhvillohet në Tiranë po vijon e tensionuar, teksa një grup protestuesish ka rrethuar automjetin ujëhedhës të Policisë së Shtetit.

Siç shihet edhe nga pamjet nga vendi i ngjarjes, protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të autobotit të policisë, ndërsa forcat e rendit kanë qenë të pozicionuara për të mbajtur perimetrin e sigurisë.

Ngjarja vjen në vijim të incidenteve të regjistruara gjatë protestës, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit mbetet e tensionuar dhe në zhvillim e sipër.

🔗 Shpërndaje
13:21

Vijojnë tensionet mes protestuesve dhe policisë në bulevard! Hidhen molotov, efektivët hedhin gaz

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata është përshkallëzuar gjatë protestës kombëtare që po zhvillohet në Tiranë.

Protestuesit kanë hedhur molotovë, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të autobotëve të policisë, të pozicionuar përballë turmës.

Në përgjigje, forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët me ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të larguar turmën nga zona.

Përplasjet kanë vijuar përgjatë bulevardit, ndërsa situata mbetet e tensionuar. Tubimi është shoqëruar me episode konfrontimi mes protestuesve dhe forcave të rendit që prej nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë.

🔗 Shpërndaje
13:19

Tensionet në protestë, disa protestues rikthehen në sheshin “Skënderbej”

Situata po vijon të jetë e tensionuar në protestën që po zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ndërkohë dhjetëra protestues janë rikthyer në sheshin “Skëndërbej” pas hedhjes se gazit lotsjellës dhe ujit nga ana e policisë.

Tensionet u rritën pasi protestuesit hodhën sende të forta si shkopinj, gurë por edhe molotov në drejtim të policisë. Më pas policia është përgjigjur për t’i shpërndarë ata. Dhjetëra protestues pavarësisht tensioneve kanë vendos të mos largohen por qëndrojnë dhe vijojnë e hedhin sende në drejtim të policisë.

🔗 Shpërndaje
13:00

Lëndohet një protestues, ndërhyn ekipi mjekësor

Një protestues ka mbetur i lënduar gjatë zhvillimit të protestës kombëtare që po zhvillohet sot në Tiranë.

Sipas raportimeve nga terreni, menjëherë pas incidentit ka ndërhyrë ekipi mjekësor i pranishëm pranë tubimit, i cili i ka dhënë qytetarit ndihmën e parë në vendngjarje.

Deri më tani nuk bëhen me dije detaje të mëtejshme mbi shkakun e lëndimit apo gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa tubimi në kryeqytet vijon.

🔗 Shpërndaje
12:48

Përplasje para Kryeministrisë, protestuesit hedhin gurë dhe molotov drejt policisë, efektivët kundërpërgjigjen me ujë

Tensionet janë përshkallëzuar para godinës së Kryeministrisë, ku ka nisur përplasja mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit.

Disa prej protestuesve kanë hedhur hunj, gurë dhe molotov në drejtim të efektivëve të policisë të vendosur përpara godinës së qeverisë. Në përgjigje, policia ka përdorur autobotin, duke hedhur ujë në drejtim të turmës.

Situata është tensionuar në kulmin e marshimit drejt Kryeministrisë, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara godinës.

Përplasjet vijnë pas episodeve të para të tensionit të regjistruara gjatë marshimit, kur disa institucione u goditën nga protestuesit.

🔗 Shpërndaje
12:35

Prej më shumë se dy orësh në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nisin marshimin

Që prej orës 10:00 ka nisur grumbullimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”. Prej me shume se dy orësh qytetarë të shumtë janë bashkuar në protestën kombëtare teksa ende nuk ka patur asnjë lëvizje nga ana e tyre.

Ata shihen me flamuj dhe pankarta në duar teksa deri më tani nuk ka patur asnjë incident mes tyre dhe policisë.

Protestuesit tashmë kanë nisur të ndezin flakadanë teksa kanë nisur edhe marshimin teksa pika se ku ata do të ndalen ende nuk dihet. Në këtë protestë shihet prezencë e shtuar teksa pritet që t’u bashkohen edhe shqiptarët nga diaspora.

🔗 Shpërndaje
10:35

Sot protestë kombëtare në Tiranë, nis grumbullimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”

Ka nisur grumbullimi i protestuesve të parë në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, ku këtë të shtunë zhvillohet protesta kombëtare e thirrur kundër qeverisë. Ata shihen me flamuj dhe pankarta në duar.

Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen në qendër të Tiranës rreth orës 10:00 në prag të nisjes zyrtare të tubimit, ndërsa protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga rrethet e vendit, si dhe shqiptarë të ardhur posaçërisht nga diaspora.

Për mbarëvajtjen e tubimit janë marrë masat e nevojshme nga strukturat e rendit, ndërsa pritet që pjesëmarrja të vijojë të rritet në orët në vijim. Kjo protestë ka përkuar edhe me 114-vjetorin e Pavarësisë dhe festën e Flamurit.

🔗 Shpërndaje
09:52

Sot protestë në Tiranë! Diaspora mbërrin në Shkodër me flamuj kuqezi, kolona e makinave niset drejt kryeqytetit

Këtë të shtunë në Tiranë do të zhvillohet protesta kombëtare e thirrur nga të rinjtë dhe qytetarët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama e cila prej muajsh kërkon largimin e tij. Protesta përkon edhe me festat e nëntorit.

Prej disa javësh, organizatorët dhe protestuesit kanë intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje masive, duke u bërë apel qytetarëve nga të gjitha rrethet e vendit, si dhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në kryeqytet.

Kësaj thirrjeje u janë përgjigjur disa shqiptarë nga diaspora të cilët kanë mbërritur në Shkodër me automjete të mbuluara me flamujt kombëtarë. Ata formuar një kolonë makinash të cilat janë nisur drejt Tiranës, ku pritet të zhvillohet protesta kombëtare.

Siç shihet edhe nga pamjet, mjetet janë rreshtuar njëri pas tjetrit për t’iu bashkuar tubimit të paralajmëruar në kryeqytet, duke shoqëruar lëvizjen e tyre me simbolet kombëtare.

Kolona e nisur nga veriu i vendit synon t’i bashkohet protestës kombëtare në Tiranë, ndërsa pritet që pjesëmarrës të vijnë edhe nga zona të tjera brenda dhe jashtë vendit.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Berisha: Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar mbrëmjen e kësaj të shtune për protestën e 28 Nëntorit në Tiranë. Në një konferencë për mediat,...
20:08 | 28/11/2026

Deputeti i “Mundësisë” denoncon sulmin nga policia: Më hodhën pabesisht gaz në fytyrë (VIDEO)

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, thotë se është sulmuar me spraj me piper gjatë protestës së ditës së sotme. Ai ka publikuar disa pamje...
19:49 | 28/11/2026

“Anulohet shfaqja në Teatrin e Kukullave”, Gonxhja: Protestuesit hodhën molotov në godinë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar për zhvillimet gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, duke njoftuar anulimin e shfaqjes së...
19:30 | 28/11/2026