TIRANË-Protestuesit e maskuar kanë gjetur sërish strehë në selinë e Partisë Demokratike. Është vetë kryedemokrati Sali Berisha që ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku brenda selisë blu, dallohen protestues me maska që janë futur për t’i shpëtuar policisë pas akteve të dhunës. Në video shihet se policia hedh në drejtim të tyre ujë me presion, por Berisha përmes një deklarate e cilësoi një sulm të urdhëruar nga Rama ndaj selisë së PD.
“Sot, në një akt hakmarrjeje të verbër e primitive politike, Padrino apo Edvin Kristaq Xhelati urdhëroi Demon e tij të sulmohet me gaz dhe pompa uji selia e Partisë Demokratike, si seli e një partie armike politike. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt kriminal të Edvin Kristaq Xhelatit dhe Demo kriminelit të tij, Partia Demokratike deklaron se ajo, sikundër deri sot, do të mbështesë me të gjitha mjetet protestën qytetare rinore gjer në përmbysjen e këtij regjimi armiqësor të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PD.
Në një konferencë nga selia blu, ko mori në mbrojtje aktet e dhunës nga protestuesit, Sali Berisha tha se selia e demokratëve do të jetë gjithmonë strehë për protestuesit. Madje, kërcënoi kryeministrin Edi Rama se do t’i kundërpërgjigjen me sulm te selia rozë.
"Në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së Partisë Demokratike. Edvin Kristaq Xhelati, armiku i egër i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike, dërgoi narkobanditët e tij me të gjithë arsenalet dhe gjuajtën selinë e Partisë Demokratike, territorin e saj me topa uji, me bomba gazi, me spraj, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetëm përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik. Unë paralajmëroj Edi Ramën: hiq dorë nga sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulme ndaj selisë sate.
Sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do mbetet strehë mikpritëse për çdo protestuese e protestues të të gjitha bindjeve, sepse protestat janë një e drejtë kushtetuese, janë një e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo kufizim, dhunë, terror ndaj protestuesve janë akte antikushtetuese. Ndaj dhe këtë ta dijë mirë, ne do të mbrojmë, do t’i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për mbrojtje dhe për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Edi Ramës", deklaroi Berisha.
Lajm në përditësim...
![]()
![]()







Komente
Komento