Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Mbi 21 protestues në spital nga dhuna e regjimit



Kreu i opozitës, Sali Berisha deklaroi se mbi 21 protestues janë detyruar të marrin trajtim në spital pas përplasjes në protestë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë mjekuar jashtë ambienteve spitalore.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të dhunës, plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe ujit ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Berisha e cilësoi protestën si një “triumf të guximit” dhe bëri thirrje për vijimin e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Në përballje me regjimin mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jo spitalore por regjimi theu kockë, theu gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëritë e plumbave, përdori mjetet e tjera të dhunshme, përdori topat e ujit të cilët siç e patë u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave që ai i konsideron armike, të Syri Televizion, që s’po bënin as edhe një akt të vetëm përveçse detyrës së tyre profesionale.

U goditën me shënjestër intelektualë të shquar të vendit vetëm e vetëm se kanë qenë, kanë qëndruar të palëkundur në protestë dhe anë të protestuesve.

U goditën me shënjestër mbi sy, në faqe, prapa koke, djem dhe vajza që nuk po kryenin asnjë akt dhune.

U plagos rëndë me plumb gome dhe iu ça lëkura dhe kafka, kamerieri që shërbente në kafene tek Opera. Sasi kolosale gazrash u hodhën me dron njëlloj si rusët në Ukrainë. Pra, Edi Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve por ata dhe tani sheshin e kanë në dorë. Ishte kjo një betejë e jashtëzakonshme, dita e parë e saj u kurorëzua me triumfin e guximit, heroizmit të protestës.

Kam besim të madh se nesër, dita e dytë e saj do të jetë po kaq, në mos edhe më e madhështore, më e jashtëzakonshme.

Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që morën pjesë. Në veçanti kam një mirënjohje shumë të veçantë për qindra e qindra shqiptarë e shqiptare që erdhën në këtë protestë nga mijëra kilometra larg dhe u rreshtuan me bashkëatdhetarët e tyre duke përfaqësuar diasporën.

Falënderoj nga zemra çdo demokrat e demokrate që sot mbushën atë shesh bashkë me qytetarët e tjerë. Shpreh vlerësimin tim më të madh për ta dhe përsëri rikujtoj se vendi ynë, vendi i çdo demokrati e demokrateje është në çdo protestë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij, gjer në largimin e tij. Ndaj dhe i ftoj, i ftoj me vendosmëri, durim, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës. Pjesëmarrja e tyre ka një rëndësi jetike, vendimtare për suksesin e protestave. Dhe siç kam theksuar dhe më parë përsëris, protesta dhe vetëm protesta, rruga e vetme për të larguar Edi Ramën nga pushteti.”