Një aktivitet i veçantë sportiv, i mbushur me emocione, entuziazëm dhe frymë patriotike, u zhvillua në qytetin e Elbasanit në kuadër të festave të nëntorit.
Kupa “Pavarësia”, e cila mblodhi 26 ekipe të grupmoshave U-7 dhe U-9 nga Elbasani dhe më gjerë, në ambientet e Kompleksit Sportiv “Ajek”.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan (SHRFE), në bashkëpunim me “Globe Sport”, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të vërtetë të futbollit të fëmijëve, ku në plan të parë ishin pjesëmarrja, kënaqësia e lojës, miqësia dhe dashuria për sportin.
Në fushën e blertë, vogëlushët dhuruan emocione të shumta përmes golave, duartrokitjeve, përqafimeve dhe entuziazmit, duke treguar pasionin dhe dëshirën për të qenë pjesë e botës së futbollit. Një aktivitet ku përtej rezultateve sportive, vëmendjen kryesore e morën fëmijët dhe ëndrrat e tyre, të cilat nisin të ndërtohen pikërisht në këto fusha.
Në ceremoninë përmbyllëse u shpërndanë medalje, certifikata dhe trofe për ekipet pjesëmarrëse dhe fituese. Çmimet u dorëzuan nga kryetari i SHRFE-së, Ilirjan File, drejtori teknik Eriol Merxha, si dhe përfaqësuesit e “Globe Sport”, në një atmosferë festive dhe emocionesh për të gjithë fëmijët.
Kupa “Pavarësia” përcolli një mesazh të rëndësishëm për promovimin e futbollit në moshat e vogla, mbështetjen e talenteve të reja dhe edukimin e brezave përmes vlerave të sportit.
Një festë sportive me motive patriotike, ku krahas krenarisë kombëtare u festua edhe e ardhmja e futbollit shqiptar, e ardhme që nis me buzëqeshjet, pasionin dhe ëndrrat e fëmijëve!







