28 Nëntori po rezulton të jetë një ditë e veçantë për boksin shqiptar, pasi Granit Shala ka regjistruar një fitore të madhe në ringun e Dusseldorfit, duke mposhtur me nokaut islandezin Kolbeinn Kristinsson.

Boksieri shqiptar arriti ta përmbyllte me sukses duelin në raundin e tetë, atë të fundit, duke e rrëzuar kundërshtarin në një përballje të zhvilluar në “Merkur Spiel-Arena” të Gjermanisë.


Ky triumf ka rëndësi të veçantë për Shalën, pasi ishte paraqitja e tij e parë pas humbjes nga Petar Milas, më 10 janar 2026. Shqiptari, i cili garon në kategorinë e peshave të rënda, kishte hyrë në këtë duel me 18 fitore dhe dy humbje, ndërsa Kristinsson kishte një bilanc prej 20 fitoresh dhe vetëm një humbjeje.

Me këtë rezultat, Shala i është bashkuar Arbnor Jasharit në listën e fituesve shqiptarë të mbrëmjes në Dusseldorf. Jashari kishte triumfuar më herët me nokaut në raundin e dytë ndaj Yoel Rivas Perez, duke e nisur në mënyrën më të mirë këtë mbrëmje për boksin shqiptar.

Ndërkohë, në program ka pasur edhe një ndryshim, pasi Kamer Maloku nuk do të zhvillojë duelin e paraparë kundër Simon Zachenhuberit, për shkak të mosmarrëveshjeve kontraktuale.

Por, vëmendja kryesore e kësaj mbrëmjeje mbetet te Nelson Hysa, i cili pritet të përballet me gjermanin Agit Kabayel në një duel për titullin botëror WBC në kategorinë e rëndë.

Hysa synon të arrijë një sukses historik përballë kampionit gjerman, i cili është i pamposhtur në karrierën profesioniste me 27 fitore në po aq përballje, 19 prej tyre me nokaut. Në anën tjetër, boksieri shkodran numëron 25 fitore, 23 të arritura me nokaut./Telegrafi/