Për shqiptarët në Kosovë, 28 Nëntori shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por domethënia simbolike dhe emocionale që ruan kjo datë lidhet edhe me aspiratën historike për bashkimin kombëtar.

“Në rrafshin simbolik, Dita e Flamurit dhe Dita e Pavarësisë shkrihen në një ndjenjë të vetme për ne në Kosovë, sepse përfaqësojnë mbijetesën dhe identitetin tonë kombëtar pas një periudhe të gjatë pushtimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) politologu Dritëro Arifi.


Çfarë kuptimi ka marrë ideja e bashkimit kombëtar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe çfarë vendi zë ajo sot në politikën e vendit?

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në pushtet, e përfshin bashkimin kombëtar në programin e saj partiak. Përfaqësues të partive opozitare, ndërkaq, flasin për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës, bashkëpunimin me shqiptarët në rajon dhe mundësinë e afrimit në kuadër të Bashkimit Evropian.

Sipas disa prej bashkëbiseduesve, kjo aspiratë, dikur e lidhur me krijimin e një shteti të vetëm, sot mund të marrë formë përmes afrimit të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete të një kombi, me bashkëpunim dhe integrim euroatlantik, por shpesh përdoret si retorikë elektorale.

Si ndryshoi ideja e bashkimit kombëtar?

Ideja e bashkimit politik të shqiptarëve kishte nisur të merrte formë më herët, në shekullin XIX, me Rilindjen Kombëtare dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shpjegon historiani Durim Abdullahu, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, ideja mori një drejtim tjetër pas përcaktimit të kufijve të Shqipërisë më 1913 dhe konfirmimit të tyre më 1921. Gjatë shekullit XX, sipas tij, ajo u mbajt gjallë përmes rezistencës politike dhe të armatosur.

Por, në fund të viteve '90, sipas Abdullahut, kjo ide i la vend kauzës për çlirimin e vendit.

“Lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë është një tjetër periudhë kyç dhe kapërcyese kur ideja e ‘bashkimit kombëtar’, gjegjësisht e bashkimit politik të Kosovës me Shqipërinë, u la në heshtje në një mënyrë pasive, duke u theksuar pjesa e parë e saj: çlirimi i Kosovës”, thotë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Pas luftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Abdullahu thotë se NATO-ja dhe Bashkimi Evropian nisën të shiheshin si hapësira ku Kosova dhe Shqipëria mund të afroheshin politikisht.

Shemsi Krasniqi, sociolog, e lidh këtë ndryshim edhe me krijimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, që hapi rrugë për bashkëpunim mes dy vendeve përmes veprimeve institucionale dhe përmes politikave ndërshtetërore e ndërqeveritare.

“Nëse në të kaluarën kanë vepruar organizata dhe lëvizje të ndryshme ilegale që kanë pasur për qëllim përdorimin e mjeteve të ndryshme për sendërtimin e kësaj ideje, sot shumë prej ideve dhe dëshirave që kanë të bëjnë me bashkimin kombëtar janë bërë realitet”, thotë ai për REL-in.

Sot, teksa ideja e bashkimit kombëtar vazhdon të ketë peshë historike dhe simbolike, partitë politike në Kosovë i japin vend të ndryshëm në programet dhe prioritetet e tyre.

Nga partitë shqiptare në skenën politike të Kosovës, vetëm LVV-ja e përfshin bashkimin kombëtar në programin e saj partiak.

Para se të vinte në pushtet, LVV përdorte flamurin kuqezi në tubime dhe kundërshtonte flamurin shtetëror të Kosovës.

Pas fitores së parë zgjedhore të LVV-së më 2019, lideri i saj, Albin Kurti, duke folur për bashkimin kombëtar tha për Top Channel se “ne nuk heqim dorë, konceptin nuk e kemi ndryshuar, mënyrën dhe strategjinë po”. Pasi mori detyrën e kryeministrit, Kurti u shfaq në disa intervista me flamurin e Shqipërisë krahas atij të Kosovës.

Deputetë të LVV-së e kanë përdorur herë pas here flamurin kuqezi edhe në Kuvend. Ai është përdorur gjithashtu në disa tubime partiake të Kurtit me mërgimtarët, ku flamuri i Kosovës mungonte.

Përfaqësuesit e LVV-së nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse partia ende e mbështet bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. As deklaratat e fundit të Kurtit nuk e kanë sqaruar këtë qëndrim.

“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar”, deklaroi Kurti më 24 nëntor, gjatë pritjes solemne në Prishtinë të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në prag të ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

Duke vënë në pah se deri më tani mes dy vendeve janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi rreth 190 marrëveshje bashkëpunimi, Kurti i cilësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si “vëllazërore dhe strategjike për kombin mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen dhe sigurinë për Evropën Juglindore”.

Ndryshe nga LVV-ja, dy partitë opozitare më të mëdha opozitare nuk e kanë bashkimin politik pjesë të programeve të tyre aktuale, megjithëse disa prej përfaqësuesve të tyre e lidhin këtë ide me zhvillime të mundshme në të ardhmen.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Elmi Reçica, thotë se as partitë dhe as qytetarët nuk kanë hequr dorë emocionalisht nga kjo ide, ndonëse kjo kauzë s'është pjesë e programit të tyre.

“Angazhimi aktual i PDK-së është përmbyllja e shtetësisë së Kosovës, të jemi shtet brenda strukturave euroatlantike, në radhë të parë në NATO dhe në BE”, thotë Reçica, duke shtuar se bashkimi kombëtar mund të përjetohet nën ombrellën e BE-së kur të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët të bëhen pjesë e tij.

As Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e vendos bashkimin politik në qendër të orientimit të saj.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se në misionin dhe politikat e kësaj partie, bashkëpunimi ndërshqiptar shihet në rrafshin e bashkëpunimit rajonal: me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Ai e cilëson retorikën e politikanëve për bashkim si diçka që bëhet për “konsum të brendshëm dhe përfitime elektorale”.

Haziri rikujton se shtetësia e Kosovës është rezultat i kompromiseve ndërkombëtare dhe i parimeve të Komisionit të Badinterit të vitit 1991, sipas të cilave kufijtë e brendshëm administrativë të ish-republikave jugosllave u shndërruan në kufij ndërkombëtarë të paprekshëm.

“Që i bie që Kosova në asnjë formë dhe në asnjë situatë nuk mund të kthehet më nën Serbi, por e ka të kushtëzuar edhe bashkimin me Shqipërinë. Ne i kemi ruajtur, i ruajmë dhe do të vazhdojmë t’i ruajmë këto parime”, thekson Haziri për REL-in.

Sipas politologut Arifi, bashkimi kombëtar nuk trajtohet më nga partitë si një kauzë politike, ndërsa edhe potenciali i saj elektoral është zbehur. Ai thotë se edhe aty ku kjo ide figuron në dokumentet partiake, nuk shoqërohet me hapa konkretë për realizimin e saj.

“Është e vërtetë që vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka të artikuluar formalisht, por në praktikë kjo ka mbetur në rrafshin teorik. Madje, edhe pas ardhjes së saj në pushtet, nuk kemi parë raporte më të avancuara mes Kosovës dhe Shqipërisë”, thotë Arifi.

Sociologu Krasniqi e sheh këtë çështje edhe nga këndvështrimi i mbështetjes shoqërore. Sipas tij, pikërisht për shkak se bashkimi kombëtar është një “vlerë konsensuale e kombit”, partitë dhe grupet e interesit mund ta përdorin atë për të siguruar mbështetje politike.

Por, Krasniqi vlerëson se realitetet shtetërore nuk ndryshojnë shpejt, andaj deklaratat për bashkim kombëtar i cilëson si të pasinqerta.

“Drejtuesit e partive ose grupeve, shpesh abuzojnë me këtë ide për shkak të përfitimit që sjell ajo, pra në rend të parë përfitimit në përkrahje dhe legjitimitet. Deklaratat dhe referimet në këtë ide, nuk janë gjithmonë të sinqerta, sepse realitetet historike nuk krijohen lehtë dhe shpejt”, thekson Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas historianit Abdullahu, ideja e bashkimit kombëtar përdoret për qëllime politike edhe jashtë Kosovës. Ai thotë se Serbia e paraqet vazhdimisht bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si kërcënim për rajonin dhe e përdor këtë argument për të kundërshtuar afrimin e të dyja vendeve me BE-në dhe NATO-n.

“Shteti i Serbisë e ka denoncuar çdo ide të bashkimit politik të shqiptarëve, duke e paraqitur atë në trajtën e një akuze me emrin ‘Shqipëri e Madhe’, një emërtim ky që realisht asnjëherë nuk ka ekzistuar si projekt politik te shqiptarët”, vlerëson Abdullahu.

Identiteti shqiptar në Kosovë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë

Debati për bashkimin kombëtar nuk lidhet vetëm me mundësinë e krijimit të një shteti të vetëm, por edhe me raportin mes identitetit kombëtar shqiptar dhe identitetit shtetëror të Kosovës.

Sociologu Krasniqi vlerëson se këto dy identitete nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por janë zhvilluar në harmoni.

Ai e kundërshton praktikën e disa figurave publike në Kosovë që i referohen Shqipërisë si “shtet ëmë”, duke theksuar se Kosova është shteti i qytetarëve të saj, ndërsa të dyja vendet kanë rrënjë të përbashkëta historike dhe kombëtare.

“Ka ndodhur që edhe nga kosovarët politikisht aktivë të dëgjojmë t’i referohen Shqipërisë me konceptin ‘shteti ëmë’. Kjo është sikur të mos e shohësh malin prej lisave. Shteti ‘ëmë’ ose ‘tatë’ i yni është Kosova”, thotë Krasniqi për REL-in.

Ai shton se, pavarësisht rregullimit kushtetues multietnik të Kosovës, forcimi i identitetit kosovar nuk e zbeh përkatësinë shqiptare.

“Ka njëfarë subordinimi mes këtyre dy identiteteve dhe identiteti shqiptar e përfshin në vete edhe atë kosovar. E vërteta e thjeshtë dhe e qartë është se jemi një komb me dy shtete. Përkundrazi, të qenët shqiptar dhe nevoja për ta ruajtur identitetin shqiptar edhe në Kosovë, e ka krijuar edhe shtetin kosovar”, argumenton sociologu Krasniqi.

Për politologun Arifi, pyetja që shtrohet sot është se si Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një kombi, mund ta thellojnë bashkëpunimin mes tyre.

Ai kritikon mungesën e pragmatizmit shtetëror në raportet mes Prishtinës dhe Tiranës. Sipas tij, ndonëse që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje ndërqeveritare, ka munguar llogaridhënia për zbatimin e tyre dhe një politikë e qëndrueshme integruese, e cila nuk varet nga ndërrimi i qeverive.

Duke iu referuar platformës së vitit 2007, “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”, të intelektualit të ndjerë shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arbën Xhaferi - e cila propozonte integrimin përmes standardeve të përbashkëta demokratike, ekonomike dhe kulturore pa prekur kufijtë - Arifi thotë se zgjidhja qëndron te unifikimi i politikave publike.

“Sipas kësaj qasjeje, kombi shqiptar mund të evoluojë realisht vetëm kur të unifikojë standardet në të gjitha dimensionet e politikave publike, pa pasur nevojë që kjo të bjerë ndesh me realitetin e dy shteteve të veçanta”, shpjegon Arifi.

Ai shton se ky proces nuk e pengon integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, por e plotëson atë.

“Këto dy procese, integrimi perëndimor dhe unifikimi i standardeve kombëtare, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; ato e plotësojnë dhe e përshpejtojnë zhvillimin tonë të brendshëm si komb brenda arkitekturës euroatlantike”, vlerëson ai.

Për të ardhmen e bashkimit kombëtar, qëndrimet dallojnë në varësi të mënyrës se si shihen zhvillimet e integrimeve euroatlantike dhe ndryshimet e mundshme gjeopolitike.

Sociologu Krasniqi, ndërkaq, e lidh të ardhmen e kësaj aspirate me zhvillime historike që nuk mund të përcaktohen plotësisht nga partitë politike. Sipas tij, në kushtet e sotme të lirisë dhe demokracisë, të cilat pretendohet se i ka Kosova, realizimi i aspiratës së bashkimit kombëtar pritet të ndodhë brenda integrimit euroatlantik./Radio Evropa e Lirë/