UEFA e falënderon Vedat Muriqin për një veprim të veçantë para ndeshjes ndaj Shakhtarit

Vedat Muriqi ka marrë vëmendje jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për një gjest sportiv që ka bërë para ndeshjes së Fenerbahces ndaj Shakhtar Donetskut në Ligën e Kampionëve.
UEFA i ka kërkuar falje klubit turk për një gabim organizativ që ndodhi gjatë rreshtimit të futbollistëve para intonimit të himnit të garës.
Sipas raportimeve të mediave turke, Mason Greenwood nuk kishte një fëmijë shoqërues para vetes, pasi njëri prej tyre kishte mbetur në korridor për shkak të tollovisë së krijuar gjatë organizimit.
Në atë moment ka ndërhyrë kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili e ka marrë fëmijën me vete dhe e ka shoqëruar në fushë, duke e zgjidhur situatën.
Mediumi turk Sondakika raporton se UEFA, përmes një letre drejtuar Fenerbahces, ka kërkuar falje për problemin organizativ, por njëkohësisht ka shprehur mirënjohje për veprimin e sulmuesit kosovar.
Muriqi, ndërkohë, e kishte bërë të paharrueshme edhe paraqitjen e tij sportive në këtë përballje, pasi realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 56-të, duke i siguruar Fenerbahces fitoren 1-0 ndaj Shakhtarit.
Sulmuesi kosovar kishte qenë vendimtar edhe në fitoren 3-2 ndaj Liverpoolit, ku gjithashtu kishte shënuar golin e triumfit.
Fenerbahce tani ka tetë pikë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Muriqi po vazhdon të jetë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës turke./Telegrafi/








































