Protesta e 28 Nëntorit/ Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: 47 të lënduar, mes tyre 20 policë, 6 gazetarë dhe një deputet Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së kësaj të shtune në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve të refuzojnë dhunën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, ndërsa ka paralajmëruar se kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me të, përfshirë edhe punonjësit e policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demo është shprehur se gjatë protestës janë sulmuar efektivët e policisë me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike, ndërsa janë dëmtuar institucione shtetërore, biznese private dhe prona publike. Mes objekteve të dëmtuara, ministri ka përmendur edhe Teatrin e Kukullave.
“Janë sulmuar institucione shtetërore, biznese private dhe është dëmtuar prona publike. Nuk i ka shpëtuar dhunës as Teatri i Kukullave. Kjo dhunë është e panevojshme”, shkruan Demo.
MInistri i Brendshëm ka theksuar se Policia e Shtetit do të vijojë të garantojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, ndërsa reagimi ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional.
“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie.Për mua, parimi se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit është i panegociueshëm”, është shprehur ministri.
Duke iu referuar edhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Demo u është drejtuar si qytetarëve që mbështesin qeverinë, ashtu edhe atyre që kërkojnë ndryshimin e saj.
“Në 114-vjetorin e Pavarësisë, flamuri kombëtar na kujton se, përtej çdo dallimi politik, kemi një atdhe dhe një shtet të përbashkët”, shkruan ai.
Ministri ka nënvizuar se kundërshtitë politike duhet të shprehen përmes debatit dhe ballafaqimit të ideve, duke theksuar se dhuna nuk është mjet demokratik.
“Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”, shprehet Demo.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ministri i Brendshëm u ka bërë thirrje qytetarëve që, pavarësisht dallimeve në bindje dhe vizione politike, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të zgjedhin debatin në vend të dhunës.
“Le të debatojmë për mënyrën se si duam ta zhvillojmë vendin. Le të kemi bindje dhe vizione të ndryshme, por të respektojmë njëri-tjetrin dhe të refuzojmë dhunën e shkatërrimin”, përfundon Demo.
Top Channel