Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhdit, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike dhe vështirësi të mundshme për qarkullimin e automjeteve.
Sipas BW, dëbora ka nisur në orët e vona të pasdites së kësaj të shtune, ndërsa pas orës 18:30 ka zbardhur zonën malore të Njësisë Administrative Steblevë.
Reshje të dendura janë regjistruar edhe në segmentin rrugor Librazhd–Zgosht–Sebisht, veçanërisht në zonën e Fushë Studenit, ku temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme.
Sipas informacioneve, deri në këto momente qarkullimi në këtë segment vijon normalisht por ky aks kërkon kujdes të shtuar, pasi reshjet e dëborës pritet të intensifikohen gjatë ditës së dielë.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të reduktojnë shpejtësinë, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht ata që udhëtojnë drejt zonave malore.












