Ministri i Brendshëm, Ervin Demo u ka bërë thirrje qytetarëve të refuzojnë dhunën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, në një nesazh pas protestës që u mbyll me 47 të lënduar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Demo deklaroi se dallimet politike duhet të shprehen përmes debatit dhe ballafaqimit të ideve.

“Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi Demo.

Demo tha se efektivët e policisë u sulmuan me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike, ndërsa aktet e dhunës prekën edhe institucionet shtetërore, bizneset private dhe pronën publike, përfshirë Teatrin e Kukullave.

Ai shtoi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, ndërsa reagimi ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional.

“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie”, u shpreh Demo.